E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet pa dosje privatizimi të shtëpive, u dogjën në ‘97

 

FIER - Megjithëse e zotërojnë një pronë prej më shumë se 15 vitesh, shumë qytetarë fierakë nuk e kanë të drejtën të bëhen pronarë të legjitimuar të pronës së tyre. Një fakt i tillë ka bërë që çdo ditë e më shumë të shtohet numri i qytetarëve dhe dosjeve të hapura pranë Bashkisë Fier. Të gjitha ankesat e grumbulluara janë bërë prej personave, të cilët nuk kanë qoftë edhe një dokument të vetëm që të vërtetojë pronësinë e tyre. Sipas të dhënave pranë bashkisë, këto prona janë kryesisht shtëpi ose truall. Deri tani numërohen 1800-2000 ankesa të drejtuara në adresë të bashkisë, të cilët nuk zotërojnë dokumentacionin e privatizimit si dhe certifikatën e pronësisë. Sipas departamentit juridik të Bashkisë e gjithë kjo situatë ka ndodhur prej kalimit të procesit të privatizimit nga Enti i Banesave drejt pushtetit vendor që në rastin konkret është Bashkia Fier. Por gjatë viteve 1996-1997 këto dokumentacione janë përfshirë nga flakët për shkak të trazirave. Luan Çala, drejtori juridik pohon se si rrugë e vetme për zgjidhjen e këtij problemi, siç parashikohet në kodin civil është nëpërmjet gjykatës. “Familjet që nuk zotërojnë dokumentin e pronësisë për banesat e tyre duhet të paraqiten me dëshmitarë që gjenden pranë familjeve të tyre, për të vërtetuar kështu ekzistencën dhe kufizimet e këtyre pronave në vite”, pohon ai. “Këto prona janë të shpërndara me këtë problem në të 4 rajonet e Bashkisë Fier dhe rreth 40% e tyre janë të detyruar të bëjnë vetëdeklarime për të përfituar nga procesi i legalizimeve”, bën të ditur juristi.   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›