E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi i këmbimit, "mëkatet" e bankës dhe qeverisë

Për ekspertët e sistemit bankar, pjesa më e papëlqyeshme e situatës me dobësimin e vazhdueshëm të lekut, është gatishmëria e Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për të larë duart.

"Kursin e këmbimit valutor e mbikëqyr Banka e Shqipërisë", deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, pak javë më parë. "Kursin e përcakton kërkesë-oferta në treg", thotë guvernatori i BSH, Ardian Fullani. "Kursi aktual është tërësisht i pranueshëm", deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Por ndërsa zyrtarët e lartë ngrenë supet dhe nuk pranojnë të japin shpjegime të qarta se pse ka ndodhur e si mund të ndalet, shqiptarët e zakonshëm po përballen ditë për ditë me pasojat e zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Euro është rritur nga 122 lekë që këmbehej mesatarisht vitin e kaluar, në 134.7 lekë që këmbehet aktualisht.

"Çdo mëngjes, kur dal nga shtëpia, koka më kthehet automatikisht nga tabela e kursit të këmbimit në agjenci", thotë një prej dhjetëra-mijërave shqiptarëve që kanë kredi në euro. "Në dhjetorin e kaluar, shpenzova 36 mijë lekë për këstin mujor prej 292 eurosh. Muajin e kaluar, shpenzova 40 mijë lekë. Kur mora kredinë në euro, për shkak të interesave të ulëta në këtë monedhë, e mora parasysh zhvlerësimin deri në këtë pikë. Por nuk e di se si mund të vijojë më pas", thotë ai.

Familjet shqiptare kanë marrë 520 milionë euro kredi për shtëpi gjatë viteve të fundit ndërsa kompanitë e biznesit kanë marrë 413 milionë euro për të blerë prona të patundshme. Të gjithëve u janë rritur këstet e kredive me 10 për qind, por problemi i tyre më i madh është frika se mos leku zhvlerësohet më tej. Shqiptarët po përballen aktualisht edhe me rritje çmimesh të mallrave të importuar si pasojë e lekut të dobët, ndërsa kompanitë e pakta të eksporteve, të cilat teorikisht duhet të përfitojnë nga leku i dobët, thonë se nuk kanë pasur shumë punë këto kohë, e rrjedhimisht, as nuk kanë përfituar.

Në total, askush nuk pret që zhvlerësimi i lekut të sjellë katastrofë. Shumica e analistëve të bankave nuk presin ndonjë përkeqësim të portofolit të kredive nga zhvlerësimi i lekut, pasi e kanë të qartë se shqiptarët do të bëjnë gjithçka që të shlyejnë këstet e kredive për shtëpi. Për më tepër, zhvlerësimi aktual i lekut me gati 10 për qind, duket se po gëlltitet nga shqiptarët pa bërë zë.

Por të gjithë ekspertët kujtojnë shprehjen legjendare të Milton Friedman, i cili ka thënë: "Inflacioni është një taksë mbi njerëzit, për të cilën nuk ka nevojë për ligj".

Kush e ka fajin

Teoritë se kush e ka fajin janë të shumta. Disa ekspertë tregojnë nga bilanci i Bankës së Shqipërisë, ku tregohet se baza monetare është rritur me 25 për qind ose 50 miliardë lekë deri në korrik, krahasuar me korrikun e një viti më parë. BSH i ka përdorur këto para për t‘ua kredituar bankave, të cilat ia kanë transferuar publikut të gjerë në formë kredish. Por një pjesë e këtyre parave, kanë shkuar edhe për të financuar borxhin e qeverisë. Qeveria nuk ka pranuar në asnjë rast të diskutojë mundësinë e shkurtimit të shpenzimeve të saja për të ruajtur vlerën e lekut dhe për më tepër, deklaron se kursi aktual është "plotësisht i pranueshëm". Banka e Shqipërisë ka bërë një studim në bazë të së cilit sugjeron që deficiti i lartë i buxhetit të shtetit, ndikon në dobësimin e lekut, por deri tani, askush nuk ka analizuar se sa ka ndikuar në rastin konkret.

Taksa

Sipas ekspertëve, ajo që po ndodh me kursin e këmbimit, është thjesht një taksë që qeveria ua ka ngarkuar shqiptarëve në kurriz, për të mbuluar shpenzimet paraelektorale, përfshirë edhe rritjen e pagave e pensioneve nga 1 maji. Zhvlerësimi i monedhës kombëtare është një lloj takse që nuk fal askënd. Ajo po paguhet nga të gjithë.

Këshilla e FMN

Shqipëria nuk është vendi i vetëm në botë ku qytetarët kanë marrë kredi në valutë të huaj. Në pranverën e këtij viti, hungarezët, polakët, rumunët etj., u përballën me të njëjtin problem. Në të gjitha këto vende, qeveritë pranuan këshillat e FMN-së, të cilat qenë të thjeshta: Qeveritë të ulin shpenzimet e veta dhe rrjedhimisht, edhe monedhat e tyre kombëtare nuk zhvlerësohen. Shqipëria është nga të paktat vende që nuk e pranoi këtë këshillë, për shkak se vendi gjendej para zgjedhjeve. Vetë Kryeministri Sali Berisha deklaroi në anë kohë: "Mendoj se FMN shkakton trazira sociale në raste krizash, prandaj nuk dua të punoj me të."

Pritshmëritë

E ardhmja është e paqartë. Leku ka tendencë sezonale dobësimi në fund të vitit, për shkak se vendi rrit importet. Leku kapërceu kufirin e 133 lekëve, i cili cilësohej edhe si kufiri i rezistencës, më 9 shtator. Përgjatë të gjithë verës, euro qe kuotuar duke pasur për referencë kuotën 130. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë thonë se shpenzimet e Ministrisë së Financave për pjesën e mbetur të vitit, do të jenë të përmbajtura e për pasojë, edhe leku mund të forcohet. Por askush nuk është i sigurt se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm. Qeveria nuk ka pranuar realitetin e krizës dhe ka programuar një deficit të konsiderueshëm edhe për vitin 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›