E Diel, 1 Nëntor 2026

"Poeteka" kujton nobelistin polak

Shpesh kujtonte vendin nga vinte, Poloninë, kontinentin e vjetër, Europën e dashur. Thoshte se e konsideronte veten një poet gjysmë polak e gjysmë amerikan, por kur mendonte për atdheun, atëherë mendja menjëherë i shkonte tek Europa, sepse pikërisht aty ishin rrënjët e tij. Quhet Cezllav Miloz dhe është një ndër zërat më të njohur të poezisë polake. Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Poeteka V" i kushtohet pikërisht atij, nobelistit, poetit lirik dhe tragjik, i cili u vlerësua në vitin 1980 nga Akademia e Suedisë me motivacionin "atij që me zërin e tij të fortë dhe pa kompromise shfaqi gjendjen e njeriut në një botë konfliktesh të ashpra". Cezllav Miloz lindi në Lituani në vitin 1911. Ai ishte bashkëthemelues i grupit letrar "Zagary". Debutoi me poezi në vitin 1930 me dy vëllime. Gjatë kohës së luftës, një pjesë të mirë të kohës e kaloi në Varshavë, ku punonte fshehurazi për shtypin. Ka dhënë mësim letërsi polake në Universitetin e Berkeley-t në Kaliforni, pasi transferohet në Amerikë për shkak të kundërshtive të tij politike. Asnjëherë nuk u pajtua me bindjet komuniste. E quante veten "pesimist i dalldisur", ndoshta për faktin se dukej sikur jetonte dy jetë. Nga njëra anë ishte një njeri me mendje të hapur dhe nga ana tjetër, shenjat e jetesës nën totalitarizëm shfaqeshin hapur tek ai. U rikthye në Poloni në vitin 1989, nëntë vite pas marrjes së çmimit "Nobel" dhe pa se aty e vlerësonin si një prej figurave më të rëndësishme të vendit. Poeti polak ndërroi jetë më 14 gusht të vitit 2004 e megjithatë, gjithë sa ka shkruar ai vazhdon të mbetet e ngulitur te dashamirësit dhe njohësit e poezisë së tij. Dhe si në një leksion që vjen së largu, në një lirikë, poeti polak shkruan: "Nuk është për aftësi të dorës /që shkruhen vargje,/ por është uji, pemët/ dhe qielli, i dashur edhe nëse është i errët/ ai të cilin e panë prindërit dhe prindërit e prindërve/ dhe prindërit e atyre prindërve/ në kohën që ishte"... Ja, ç‘është të thurësh vargje, ja ç‘na mëson poeti!

Por në këtë edicion të pestë të këtij festivali, ku poezia ngrihet në kult, si mjet i të shprehurit, i të përcjellit të emocioneve, shpeshherë edhe më fort e më ndjeshëm se proza nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e tjera ashtu si mbi të gjitha nuk do të mungojnë poetët. Nga data 21 deri më 27 shtator, ashtu si edhe vitet e shkuara, në këtë veprimtari tashmë të kthyer në një traditë, nuk do të mungojnë pjesëmarrësit dhe të ftuarit specialë. Abdullah Sidran (Bosnjë), Ales Debeljak (Slloveni), Tom Sleigh (SHBA), Jumana Mikolajewski (Poloni), Jovan Nikolaidis (Mal i Zi), Edi Shukriu dhe Ali Podrimja (Kosovë), Kim Mehmeti (Maqedoni), Cvetanka Elenkova (Bullgari), Sasa Iliç (Serbi), Americo Rodrigues (Portugali), Debostenes Agrafiotis (Greqi) etj., janë emrat e disa prej pjesëmarrësve të huaj që priten të jenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë. Ndërsa nga Shqipëria marrin pjesë emra të njohur si Xhevahir Spahiu, Primo Shllaku, Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Natasha Lako, Feride Papleka, Flutura Açka, Bardhyl Londo etj. Gjatë një jave, kjo veprimtari nuk do të kufizohet vetëm në Durrës, pikëtakimin e përvitshëm, por do të shtrihet edhe në Elbasan, Berat e Tiranë. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në festival 22 poetë nga 15 shtete të Europës. Poetët pjesëmarrës do të konkurrojnë me krijimtarinë e tyre për katër çmimet që "Poeteka" ndan çdo vit. Çmimi "Liburna" për poetin që ka botuar krijimtarinë më të mirë në faqet e revistës "Poeteka" gjatë vitit 2008-2009, çmimi "Nositi" për përkthimin e librit më të mirë poetik të vitit nga gjuha e huaj në shqip apo nga shqipja në gjuhë të huaj, çmimi "Onufri" për kontributin kritik letrar me të mirë të vitit, esenë për poezinë apo artet e tjera, si edhe çmimi "Unaza Poeteka" për personalitetin poetik më të spikatur në Festival Poeteka.

Ndërkaq, një hapësirë e veçantë gjatë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë do t‘u kushtohet edhe përkthyesve, si poetë të fshehur. Esetë, përkthimet, diskutimet dhe intervistat e tyre do të sjellin përvojën në fushën e përkthimit. "Fëmijëri mes librash" do të jetë tema e re që do të zërë një ditë të plotë në këtë edicion të "Poetekës", veprimtari që do të vijë në formën e tryezës së rrumbullakët, që zhvillohet për herë të parë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. "Autori në mikrofonin tim" dhe leximet e titulluara "FormAline" janë dy risi të tjera të "Poetekës" për këtë vit. Në të parën synohet të bëhen të njohur poetët dhe poezia e tyre duke bashkëpunuar me radiot, televizionet dhe mediat në përgjithësi, ndërsa leximet "FormAline" do të jenë jopublike dhe do t‘u kushtohen atyre që vlerësojnë poezinë si një formë intime. Mbrëmja "Një europian në oborrin e mbretit Monun" do t‘i kushtohet një poeti të huaj pak të njohur në vendin tonë. Etydet kinematografike dhe televizive me përshtypje dhe frymëzime nga bota e poezisë do të zënë vend në këtë veprimtari. Një tjetër risi e organizuar nga "Poeteka" këtë vit janë edhe dy prurje të reja që lidhen me poezinë sonore dhe poezinë vizuale. Prezantimet e librave poetikë do të jenë një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni të parë të "Poetekës" të zhvilluar në Durrës në vitin 2005. Në katër edicionet e kaluara, trofeun "Unaza Poetike" e kanë fituar autorët Sibila Petlevski (Kroaci), Maria Luisa Spaziani (Itali), Jevrem Berkoviq (Mali i Zi) dhe Casimiro de Britto (Portugali).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›