Poezi ka, institucionet s‘e promovojnë
Duke e ditur dhe besuar fort aksiomën letrare që ‘qoftë edhe lexuesi më i mirë, është nja njëzetë vite mbrapa në shije nga poezia më e mirë që po shkruhet në atë segment kohe‘, diktime të tilla nuk para më shqetësojnë (por nga ana tjetër më vjen mirë që ky shqetësim të zërë vend në gazetën tuaj). Pra, nuk mendoj se poezia e sotme shqipe po humbet sikundër po thuhet ‘terren‘. Dhe personalisht nuk para besoj në përcaktime të tilla të përcipta e që nuk kanë të bëjnë fare me thelbin e çështjes, të tipit ‘Po vdes poezia!‘ ose ‘Po vdes romani!‘ Nga kjo pikëpamje i bie që pra ka pasur një poezi të madhe para nesh, por që tani nuk po vijohet më. Në të vërtetë është e krejt e kundërta. Në kohë dhe zhvillime të caktuara sociale dhe politike të një vendi, ka arte që për disa arsye, marrin një zhvillim më të madh se artet e tjera. Në kushtet e Shqipërisë, një vend në kapërcyell - politik, ekonomik, kulturor, pra në fund të fundit gjuhësor, fuqitë që ushqejnë poezinë dhe artet e tjera janë të mëdha. Dhe veçanërisht poezia, e cila në këtë fazë të ndërmjetme të riformatimit të identitetit tonë total, në këtë fazë të zhvillimeve të brendshme të mëdha gjuhësore, ka njohur zhvillim të admirueshëm. Ndërsa mbetet arti më pak i mbështetur në Shqipëri, apo më mirë të themi më i braktisuri, sido të jetë është në natyrën e vet më të thellë që poezia të mos shqetësohet për kurrgjë përveçse vetvetes. Është në natyrën e vet më të thellë që edhe në kushtet e mungesës së një lexuesi konkret, të projektojë lexuesin potencial, është në natyrën e vet që energjinë e vërtetë e merr prej poetikës së vet gjuhës, që shndërrimet sociale jo domosdoshmërisht do gjejnë jehonën e tyre aty. Poezia është në fund të fundit historia e emocionit njerëzor, është historia e shpirtit, sado dalëboje mund t‘i duken dikujt fjalë të tilla si shpirt, emocion, ndjenjë (kujtoj Eliot-in kur thoshte se poezia ka detyrën e ruajtjes dhe mbrojtjes së emocioneve njerëzore). Nga kjo pikëpamje, poezia shqipe e pesëmbëdhjetë -njëzetë viteve të fundit, është ndofta poezia më e rëndësishme që është shkruar në njëqind vitet. Por natyrisht sado e pamundshme të duket për ata që nuk e kanë vokacion poezinë (dhe nuk është e thënë të jesh domosdo poet ta mendosh këtë), këtë ka për ta provuar historia e mëvonshme e letërsisë shqipe. Larg cilësdo megalomanie, apo përgjumjeje të arsyes, e them me qetësinë e bindjes së paluajtshme, se në Shqipëri sot po shkruhet një prej poezive më të mira të Europës. Fakti që sa e njohur apo e panjohur mbetet kjo për lexuesin tonë apo atë europian, them se u mbetet detyrë morale institucioneve që duhet të përkujdesen për këtë njohje, të krijojnë mekanizmat e nevojshme që ta realizojnë këtë njohje. Por në këtë shkallë zhvillimi kjo duket disi e parakohshme, por herët a vonë kjo gjë ka për t‘u qartësuar më mirë, sigurisht në dobi të të gjithëve.