E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfryhet "tullumbacja" e pensioneve false, zhbllokohen dosjet e ish-minatorëve

Ndërkohë që sindikatat e minatorëve kërkojnë me këmbëngulje uljen e moshës së daljes së pension, qindra dosje pensionesh kanë kaluar për gjykim në shkallët e gjyqësorit. Sipas agjencive të sigurimeve shoqërore janë konstatuar shkelje dhe janë përfituar pensione pa të drejtë nga qindra ish-minatorë. Kështu janë rreth 250 persona që kanë punuar në minierën e Bulqizës, që jo vetëm që nuk do të marrin më pension, por do t‘u duhet të derdhin në llogarinë e sigurimeve shoqërore paratë e pensioneve të marra ndër vite, të cilësuara si të padrejta sipas këtij verifikimi. Po sipas drejtorit të DRSSH-së Dibër, Fadil Begu, nga këto dosje të mbyllura tashmë, 79 prej tyre kanë kaluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, në sektorin e krimit ekonomik, për ndjekje penale, pasi dyshohet për falsifikim dokumentesh mbi bazën e të cilave është përfituar pensioni pa të drejtë. Në këtë hetim të prokurorisë mësohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore që kanë lëshuar këto dokumente false. Prej gati dy vitesh, rreth 800 ish-minatorëve të Minierës së Bulqizës, të dalë në pension, kryesisht banorë të këtij rrethi, por edhe nga rrethe të tjera fqinje si: Mati, Mirdita etj., iu bllokua dhënia e pensionit. Kjo për faktin se dokumentet mbi bazën e të cilave ishte lidhur ky pension, kishin rezultuar të pavlefshme. Burime nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Dibër, bëjnë me dije për "Shqip", se më në fund është bërë zhbllokimi i këtyre dosjeve. "Ka qenë një punë shumë voluminoze dhe e vështirë, pasi në borderotë e pagesës nuk është shënuar fjala "nëntokë", mbi bazën e së cilës merret pension minatori, pavarësisht se shënohen nivelet e pusit ku ka punuar, që nënkuptojnë punën në nëntokë", thotë drejtoresha e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Bulqizë, Shyqyrie Muça. Sipas saj, një tjetër vështirësi ka qenë edhe mungesa në dokumentacion në lidhje me specifikimin e vendeve të punës që i takojnë punës në nëntokë. Ndërkohë, sipas drejtorit të DRSSH-së Dibër, Fadil Begu, mësohet se nga 800 dosje të verifikuara, 250 prej tyre janë mbyllur, pasi kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion. Ndërsa 51 ish-pensionistë minatorë të cilëve u është mbyllur dosja e pensionit, i janë drejtuar gjykatës, pasi pretendojnë se disponojnë dokumente të plota dhe të sakta dhe jo të falsifikuara për lidhjen e pensionit për ta.
Ndërkohë, në Kukës janë rreth 300 ish-minatorë që u penalizuan një vit më parë nga kontrolli i auditit të brendshëm, ku siç thuhej, ishte verifikuar se mbanin dosje të parregullta. Pas një diskutimi në distancë dhe një kalvari të gjatë ankesash, çështja u dërgua në Gjykatën e Faktit në Kukës nga vetë drejtuesit rajonalë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në një raport të këtij instituti, përkatësisht të kontrollit të ushtruar me argumentet kundër korrupsionit, doli se me disa gabime në ditë pune, për minatorët që nuk kishin plotësuar 11 vite e gjashtë muaj punë, siç kërkonte ligji, por kishin 11 vite apo më pak, i shkaktonin shtetit një dëm prej 14 milionë lekësh në vit. Një numër ish-minatorësh, tashmë të sëmurë dhe të paaftë për një punë tjetër, iu drejtuan gjykatës, duke kundërshtuar padinë e bërë nga Sigurimet. Kështu, në shkallë qarku kanë rifituar të drejtën e trajtimit të veçantë prej 5500 lekësh në muaj rreth 110 ish-minatorë. Pjesa tjetër, siç mësohet nga burime të sindikatës së minatorëve, vazhdon të endet në nivelet e dyta të gjykatave në kërkim të trajtimit të veçantë si ish-minator. Sindikalistët me lëvizjet e tyre sensibilizuese kanë kërkuar statusin e minatorit, ku të specifikohet mosha e daljes në pension në 50 vjeç, kundrejt moshës 59 vjeç, për të cilën ka rënë dakord qeveria "Berisha 2".

Hy.Li./Su.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›