E Diel, 1 Nëntor 2026

Poezia është produkt i frymëzimit hyjnor

Njoh shumë njerëz që jetojnë, punojnë, mendojnë duke kënduar dhe asnjëri prej tyre nuk është naiv me tepri. Maksimumi është i mirë me tepri. Ju mendoni se jetojmë në kohë apoetike? Për sa kohë gjejmë njerëz të vlerë, të dashur, të kujdesshëm dhe që arrijnë të jenë të lumtur falë këngës së tyre, epoka mbetet po aq poetike sa cilido fragment tjetër historik i njerëzimit. Kam bindjen se apoetika që flasim, ka të bëjë me perceptimin tonë rreth publikut. Mund ta pohojmë se publiku sot është thjesht më i varfër në mjete shprehjeje dhe më i verbër se ç‘e presim të jetë. Por te të verbrit unë përfshij të gjithë ata - jo veç në rastin e poezisë - që zgjedhin të shkojnë ngarkuar me përditshmërinë dhe humbin të përjetshmen. Është interesante sesi mediat sociale dhe rrjetet virtuale të komunikimit kanë ringjallur konsumin shpirtëror të artit në përgjithësi dhe poezisë në veçanti, pavarësisht të asaj që konsumohet në rrjet. Numri i atyre që shkruajnë dhe shpërndajnë poezi, pa bragashat e kritikës, përzgjedhjes, pa paragjykuar nivelin kulturor të grupit ku drejtohen, ka prodhuar sot një rizgjim të mjedisit poetik, edhe pse ndoshta jo edhe të poezisë.

Sepse poezia është ajo që mbetet. Jo ajo që vjen e ikën.

Nuk pranoj të flas për vdekjen e poezisë. Poezia është në gjykimin tim vetvetja e lexuar prej së ardhmes. Nuk ka ekzistencë pa vizionin e të ardhmes. Cilësisht, poezia është sublimja e njeriut, përpjekja e njeriut për të ngjarë me idealin e vetes. Pyetja nëse ky ideal po vdes, ky ind sublim i njeriut është drejt zhdukjes etj., nuk bën sens. Poezia është njëkohshëm transcendentale dhe transcendentalja është e përjetshme. Ajo mund të mpihet si një nerv i stërmunduar, mund të humbasë përkohshëm në qiell si një hënë poshtë reve, mund të eklipsohet, por mbetet e pacenueshme, e pa sfidë: ajo është produkt i frymëzimit hyjnor me të cilin njeriu lind; ajo është kujtesë, dhuratë e madhështisë së origjinës së Krijimit. Nuk vdes dot poezia...

Humbja e shtysave për ta dashur fort jetën, zbehja e peshës së njeriut në mjedisin shoqëror - qoftë kombëtar, qoftë mbikombëtar, humbja e roleve gjinore në ndërtimin e një vizioni shoqëror, mosgjetja e një raporti të drejtë mes aftësisë për të ndier, perceptuar dhe për t‘u shprehur poetikisht përballë premisave shumë më të zbërdhylta që kërkon përgjegjësia sociale në Shqipëri, mendësia dominuese shqiptare se një shoqëri mund të lulëzojë edhe në kushtet e mungesës së të ardhmes së përbashkët, të gjitha këto motive kanë vakur ajrin poetik që thith një shoqëri. Po ashtu, rritja e lakuriqësisë si teknikë komunikimi, denatyrimi i raporteve njerëzore si teknikë ndërveprimi (përfshi atë seksual), dhe forcimi i prirjeve me rrënjë instiktive (pa asnjë kërkesë lëvrimi kulturor) dhe me qasje mundësisht krejt pasive (TV, video, PC) - të gjitha kanë prodhuar një mjedis kulturor që ka kundërshtuar forcimin e kërcellit të poetikës në rrafsh global, por jo edhe shfaqjen e gjethëzave të reja, të mrekullueshme që lulëzojnë sot e gjithë ditën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›