Përsëri ekonomi në tranzicion
Ervin Bushati Politikat Ekonomike të tranzicionit, në mënyrë të qartë nuk e kanë arritur objektivin historik për ta integruar vendin në kontekstin evropian dhe ndërkombëtar. Ekonomia jonë ka një karakter pasiv, në pritje dhe në reagim mbrojtës të faktorëve dhe situatës së jashtme. Sektori privat nuk është në gjendje të prodhojë apo të eksportojë në mënyrë të përshtatshme në tregje. Njëkohësisht, përhapja e ekonomisë informale e bën të pamundur thithjen e një numri më të madh investimesh prodhuese me prejardhje nga jashtë.Sot kemi një politikë ekonomike të flashkët, që kufizon investimet prodhuese dhe aftësitë rinovuese dhe njëkohësisht përforcon rrënjosjen e ekonomisë “në të zezë”; një ekonomi me nivel të ulët punësimi dhe që nuk ka qenë në gjendje të zbusë pabarazitë kyçe në Shqipëri; një ekonomi me handicap strukturor, e cila nuk ka arritur ende të korrë plotësisht frytet e një integrimi më të madh me tregjet ndërkombëtare.Një ekonomi pa dinamikëAkoma sot më shumë se gjysma e të punësuarve merren me bujqësi, shkallë mjaft e lartë në krahasim me vende të tjera që kanë nivel të njëjtë të ardhurash për frymë. Ndonëse merr gjysmën e kapitalit njerëzor, bujqësia shqiptare prodhon vetëm 1/5 ekonomisë shqiptare: indikator i një prodhimtarie të niveleve afrikane. Jashtë bujqësisë vetëm pak prej tyre janë të punësuar në industri - që mezi e kalon 10 përqindëshin e ekonomisë shqiptare. Mbizotërimi i bujqësisë dhe aftësive të ulëta prodhuese kufizon rinovimin e përgjithshëm të sistemit dhe e shpjegon mjaft mirë aftësinë e dobët konkurruese. Vetëm dërgesat e emigrantëve, të cilat kryesisht janë të orientuara në financimin e konsumit më tepër sesa në investimet e prodhimit, kompensojnë disi dizekuilibrat. Nga ana tjetër, pesha ireale e një punësimi pothuaj absolut në bujqësi i jep krahë ekonomisë “në të zezë”, një prej problemeve më të prekshme që mund të shpjegojë fluksin e ulët të investimeve të huaja direkte, si dhe dobësinë e përgjithshme të sistemit ekonomik.Një ekonomi pa PunësimPeng e tranzicionit ka qenë dhe aftësia e ulet për të hapur vende pune. Ka munguar një strategji e qartë për tregun e punës. Ulja e përqindjes së papunësisë e viteve të fundit, si në përcaktimin e saj standard, ashtu edhe në atë më të artikuluar, nuk duhet të gënjejë askënd. Bëhet fjalë për një ulje, kryesisht për shkak të daljes nga tregu i punës i një mase të madhe njerëzish, që e kanë lënë shpresën për të gjetur një vend pune. Në të vërtetë dhe në mënyrë mjaft domethënëse, përqindja e punësimit ka rënë me më shumë se 25 për qind nga viti 1991. Pjesëmarrja në tregun e punës është tejet e ulët për gratë dhe të rinjtë, një e dhënë kjo e fundit mjaft kuptimplotë nëse lidhet bashkë me nivelin e ulët të shkollimit. Paaftësia për të krijuar vende pune, përveçse është burimi kryesor i pabarazive në shoqërinë shqiptare, është edhe një shpërdorim i jashtëzakonshëm makroekonomik, që duhet përballuar duke korrigjuar shkaqet kryesore: kualifikimin e ulët të punonjësve, përhapjen e ekonomisë “në të zezë” dhe ndërveprimin e saj me koston e lartë të punës.Sistemi arsimor nuk arrin të prodhojë një masë kritike me kapital njerëzor të atillë që të gjenerojë faktorë të jashtëm pozitivë për sistemin e biznesit. Nëse krahasohet me vendet e tjera të zonës, Shqipëria shfaq prapambetje domethënëse, sidomos në shkollimin e nivelit të dytë. Kështu që sektori privat mbetet i bllokuar në një ekuilibër kapitali jocilësor njerëzor, çka sjell një prodhimtari të ulët nga ana e firmave, një kërkesë të vogël për punë të kualifikuar, dhe pak stimuj për të rinjtë për të investuar në arsimimin e tyre. Nga ana tjetër, ky rreth vicioz shpjegon, të paktën pjesërisht, emigrimin e punonjësve më të kualifikuar.Një ekonomi pa infrastrukturëInfrastruktura në Shqipëri ndjen nivelin e ulët të investimeve të dekadave të fundit dhe qëndron në një nivel të pakënaqshëm edhe në krahasim me ekonomitë e tjera, që gjenden në të njëjtën fazë të zhvillimit. Krijimi i infrastrukturave mbetet i mangët, mirëmbajtja lë për të dëshiruar dhe fenomeni kryesor në veprat e mëdha të infrastrukturës është përfitimi abuziv: si ekonomik ashtu dhe elektoral nga pushteti.Rëndësia e infrastrukturës në zhvillimin ekonomik dhe social, nuk mund të nënvlerësohet. Infrastruktura e përmirësuar ndikon direkt në prodhimtari, por ndikon edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Mungesa e infrastrukturës godet në mënyrë të veçantë shtresën më të varfër të shoqërisë, e cila mund të ketë më tepër vështirësi në shfrytëzimin e shërbimeve dhe që mund të mos jetë në gjendje të përballojë zgjidhjet alternative, që janë të mundshme për pjesën tjetër të popullatës.Në përfundim, ekonomia e tranzicionit nuk ka arritur ta shndërrojë Shqipërinë në një vend dinamik dhe modern; integrimi me tregjet ndërkombëtare është ende i dobët; rritja e punësimit ka qenë tejet e kufizuar dhe pabarazitë mbeten të rënda dhe të rrënjosura. Për të kapërcyer këto probleme: duhet një përballje me nyjet kryesore të modelit të zhvillimit, si dhe duhen optimizuar mundësitë e ofruara nga procesi i integrimit dhe nga dinamika e globalizimit.