E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova me termocentral të ri, opozita e konsideron vendim politik

Termocentrai quhet “Kosova e Re” dhe do të kushtojë 3 miliardë euro

Blerina Olldashi
Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ndërtimin e një termocentrali të ri të quajtur “Kosova e Re”, prej 2000 megavatësh. Ndërtimi i tij do të bëhet në dy faza, duke e ndarë atë në dy pjesë prej 1000 megavatësh. Projekti gjigand është vlerësuar se do të kushtojë mbi 3 miliardë euro. Gjatë një konference për shtyp, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se Komiteti Drejtues për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”, ka aprovuar me një unanimitet të plotë një strategji të gjerë për sektorin e energjisë dhe që ka për qëllim furnizimin e qëndrueshëm dhe me kualitet të energjisë. Kryeminstri Thaçi, tha se qeveria në bashkëpunim me Komisionin Europian, Bankën Botërore dhe qeverinë e SHBA-ve, ka hartuar një plan strategjik për reformimin e sektorit të energjisë me qëllim të furnizimit të qëndrueshëm. Ai sqaroi se ndërtimi i termocentralit të ri do të bëhet pas përzgjedhjes së kompanisë që do të fitojë tenderin për projektin. Nga katër kompani që kanë kaluar fazën e parë, njëra ka marrë vendimin që të tërhiqet vetëm një ditë para vendimit të qeverisë. Por vendimi i qeverisë së Kosovës, për ndërtimin e termocentralit të ri, është kundërshtuar nga opozita, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile që e kanë cilësuar atë si të dëmshëm për mjedisin dhe projekt që do të dëmtojë edhe buxhetin e Kosovës. Disa kritikojnë qeverinë për shkelje të strategjisë së mëhershme, të tjerët e vlerësojnë të duhur vendimin e qeverisë.
Përfaqësues të opozitës dhe ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të kundërta rreth vendimit të qeverisë, për fillimin e realizimit të projektit më të madh kapital deri më tani në Kosovë “Kosova e Re”. Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe ish-ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është përgatitur projekti, thotë se qeveria ka shkelur Strategjinë e Zhvillimit Energjetik të Kosovës 2005-2015. Në këtë strategji, sipas tij, ishte paraparë që termocentrali të ndërtohet me kapacitet instalues 2100 megavate. Ndërkaq, qeveria sot ka vendosur që “Kosova e Re” fillimisht të ndërtohet me kapacitet prodhues prej 1000 megavatesh, e më pas të rritet edhe për 1000 megavate tjera. Për këtë arsye, Ethem Çeku, vendimin e qeverisë e quan politik. Edhe Besa Gaxherri, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, pohon se Qeveria e Kosovës ka zvarritur tej mase realizimin e këtij projekti duke çuar në degjenerim të procesit.

NATO-ja e angazhuar për të ndihmuar FSK-në

Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota u takua me zëvendëskomandantin e NATO-s për Europë, gjeneralin Xhon Mekoll, me të cilin bisedoi për zhvillimet në këtë ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe angazhimet e ardhshme në këto dy institucione. Ministri Mujota e vlerësoi lart ndihmën e NATO-s dhe kërkoi që kjo ndihmë të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që FSK-ja të vazhdojë me sukses ngritjen dhe profesionalizimin e saj sipas standardeve dhe parimeve të Aleancës Veri-atlantike. “Në këtë fazë jemi të interesuar që të kemi rritje të kapaciteteve monitoruese të NATO-s për FSK-në dhe sigurimin e armatimit adekuat paralelisht me arritjen e kapaciteteve të para operacionale”,- tha Mujota. Ndërkohë gjenerali Mekoll e siguroi edhe njëherë Ministrin Mujota, se do të angazhohet që në Komandën Supreme të NATO-s në Bruksel, të nxisë shtetet anëtare për ofrimin e ekspertëve të monitorimit si dhe inkurajimin e vendeve mike për kontribut të mëtejmë në Fondin e Mirëbesimit për FSK-në. Gjithashtu Mekoll, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë u takua edhe me gjenerallejtënant Sylejman Selimin, komandant i FSK-së, ku u shkëmbyen pikëpamje lidhur me ecjen dhe zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Opozita serbe pesimiste: Me vizat humbëm Kosovën

Shpallja e vendimit të komisionerëve europianë për futjen e Serbisë në të ashtuquajturën “listën e bardhë të Shengenit” është komentuar me entuziazëm në Beograd nga përfaqësues të qeverisë, ndërsa ka hasur në kundërshtimet e opozitës e cila ka kritikuar përjashtimin e Kosovës nga përfitimi i liberalizimit të vizave.
Sipas opozitës ky fakt është ekuivalent me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shkëputjen e saj përfundimtare nga Beogradi.
“Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Serbisë” theksoi presidenti Boris Tadiç. Kritika të forta kanë rrjedhur nga anët e opozitës, sipas të cilës është e papranueshme përjashtimi i Kosovës nga liberalizimi i vizave, çka nënkupton se ajo nuk është më pjesë e Serbisë. “Kjo do të thotë që pavarësisht qëndrimeve për të mos njohur Kosovën, vendimi për të mos e përfshirë në përfitimet e Serbisë, bën fakt të kryer njohjen e pavarësisë të saj”- shprehet Dragan Todoroviç, i parisë radikale serbe.

SHBA
Obama pesimist: “Papunësia do të rritet”

Presidenti amerikan Barak Obama, i njohur tashmë për fjalimet e tij inkurajuese, ka bërë një deklaratë shumë të zymtë për punësimin në SHBA. “Papunësia në Shtetet e Bashkuara do të rritet në muajt e ardhshëm dhe nuk është e qartë se me çfarë shpejtësie tregu i punës do t’i përgjigjet ngadalësimit të recesionit”,- ka deklaruar Obama. Deklaratën e tij shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri pas një takimi me kryeministrin holandez Jan Peter Balkenende.

Meksikë
Vriten 12 oficerë të policisë

Presidenti Felipe Calderon i Meksikës është betuar se do të vazhdojë luftën e tij kundër karteleve të drogës pas vrasjes se 12 policëve në shtetin e Miçoacanit. Autoritete të sigurisë thonë se 12 viktimat u gjetën të torturuar dhe të vrarë. Qeveria po e merr këtë si shenjë hakmarrjeje. Zhvillimi vjen pas një hetimi të gjatë 6 mujor që ka çuar në arrestimin e udhëheqësit të një karteli të njohur si Familja. Kjo ka provokuar një raund të ri vrasjesh për hakmarrje në Miçoacan, ku policia federale arrestoi Arnoldo Rueda Medinann.

Iran
168 të vdekur nga rrëzimi i një avioni

Media shtetërore e Iranit bën të ditur se një avion udhëtarësh u rrëzua në pjesën veriperëndimore të vendit, duke lënë të vdekur të 168 persona. Televizioni shtetëror tha se avioni i linjës iraniane ishte nisur për në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, kur u rëzua pranë qytetin. Media njofton se avioni u rëzua 16 minuta pas nisjes nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit, Imam Khomeini. Pamjet fimike treguan avionin e shkatërruar dhe në flakë të linjës së Kaspikut. Zyrtarët thanë se avioni kishte 153 udhëtarë dhe një ekuipazh prej 35 punonjësish.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›