Gripi, konfirmimi i virusit çështje ditësh
Specialistët kanë pohuar se konfirmimi i virusit në vendin tonë është vetëm çështje ditësh. Tashmë i gjithë rajoni dhe rreth 130 shtete të botës janë në hartën e vendeve të infektuara dhe Shqipëria nuk mundet kurrsesi ta shmangë të njëjtën situatë. Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të sanatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi. Sakaq, bluzat e bardha në Tiranë e në rrethe do t’u marrin kampionë gjaku pacientëve që dyshohen se mund të jenë prekur nga gripi i derrit.