E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: 60 përqind e borxheve që merr Berisha shkojnë në xhepat e kompanive të huaja

Kredia tregtare me interes 11.3 për qind, që qeveria mori dy ditë më parë, ka ndezur edhe një herë polemikën mes ekspertëve më të lartë të qeverisë dhe opozitës mbi implikimet, që ajo mund të ketë në ekonominë e vendit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin për koston e rëndë me të cilën qeveria po financon segmente të veçanta të infrastrukturës. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka shprehur shqetësimin, për rritjen e defiçitit, rritjen e borxhit publik dhe rritjen e kostos së borxhit të kësaj qeverie. Qeveria shqiptare edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë ka frikë të informojë opinion publik për koston e kësaj kredie, aq më tepër për një qeveri që brenda dy viteve dhe vetëm për segmente rrugore, ka marrë rreth 480 milionë euro kredi. Çdo kredi e marrë ka 4 elementë, që janë të detyrueshme të njihen nga çdo pagues i saj, shuma, monedha, interesi dhe afati në të cilin duhet të paguhet, veçoi Malaj. Sipas tij, justifikimi i qeverisë, se marrja e kredisë ndihmon bankat vendase të japin kredi për shqiptarët, është demagogji, pasi kredia për shqiptarët është bërë më e rëndë, më e vështirë dhe me interesa më të larta. Këto kredi të rënda do të paguhen nga taksa-paguesit shqiptarë. Kriza e borxheve të rënda ka prekur sot disa vende të Europës Lindore. Shumë abuzues është fakti që rreth 53  lek  në 100 lekë të këtij borxhi nuk shkojnë për të financuar rrugën, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese. Çdo shqiptar e kupton se sa më e lartë është norma e kredisë që ata marrin, aq më  e rëndë ajo bëhet të nesërmen. Normat e larta të interesit nga 11,5 deri në 15 %  janë  shumë të rënda për të nesërmen, theksoi deputeti socialist, Arben Malaj. Më tej përfaqësuesi i selisë rozë, shtoi se opozita, institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Qendrore dhe ekspertë të ekonomisë, në mënyrë të përsëritur dhe publike i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshme në reduktimin e rënies së të ardhurave në buxhet dhe sidomos në shkurtimin e shpenzimeve joefektive. Sipas Malaj, zhvlerësimi i monedhës kombëtare do të bëjë akoma më të rëndë kthimin e kësaj kredie, çdo shqiptar që ka marrë kredi nga bankat në euro, e ndjen vetë se sa e rëndë i është bërë kthimi kredisë. Nëse qeveria pretendon se kostoja totale e këtij segmenti është rreth 650 milionë euro, 75% e kësaj rruge nuk është ndërtuar me para të mbledhura nga buxheti, por me borxh në rritje dhe me kosto të rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Në këtë rast demagogjia e qeverisë është konkrete dhe e kushtueshme. Në kushtet kur qeveria pretendon se i ka tejkaluar investimet në tre muajt e para të vitit, njëkohësisht ajo merr kredi tregtare në emergjencë për muajin Maj dhe Qershor sa më parë dhe përpara zgjedhjeve. Kuptohet qartë se qeveria në ikje po lë pas një situatë fiskale shumë të dobët dhe me probleme në rritje, nënvizoi ai. Ndër të tjera, Malaj ka veçuar se vendi ynë nuk ka hapësirat e nevojshme fiskale që të rrisë deficitin, borxhin publik dhe koston e tij, nëse vazhdohet kjo politikë fiskale, vendi në të ardhmen shkon drejt një situate shumë më të rëndë.

Last Updated on Thursday, 07 May 2009 12:56

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›