E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, organizoi trafik klandestinësh, prangoset 29 vjecari

Kalimet e paligjshme të kufirit nga Greqia janë zhvendosur tashmë nëpërmjet Maqedonisë fqinjë. Kështu klandestinët kalojnë kufirin me shtetin maqedonas dhe më pas përfundojnë në Greqi në destinacionin e tyre. Gjatë natës së kaluar policia e Pogradecit ka prangosur një 29- vjeçar, i cili ishte duke kaluar drejt Maqedonisë nëpërmjet Qafë-Thanës katër persona, kundrejt një pagese nga 600-1200 euro secili.

Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale mësohet se zyra Antitrafik në Drejtorinë e Policisë në Korçë ka ndaluar shtetasin Manjol Myftari nga Lapraka e kryeqytetit. 29- vjeçari udhëtonte në një fugon taksi me targë PG 024 A, në të cilin ai ndodhej bashkë me katër persona të tjerë. Katër klandestinët dhe organizatori i tyre kishin hipur në Tiranë, ndërsa ata ishin nga rrethi i Tiranës dhe ai i Elbasanit. Myftari do ti kalonte ilegalisht në Maqedoni duke shfrytëzuar pikën kufitare të Qafë-Thanës e më pas nga Maqedonia do ti çonte drejt Greqisë në qytetin e Selanikut. Pagesa, e cila ishte e konsiderueshme do të paguhej kur klandestinët të mbërrinin në destinacionin e tyre. Sipas policisë, ndaj Manjol Myftarit rëndon akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›