Pogradec, rrihet gjyqtari në zyrën e tij
Agron Papajani është goditur me grusht në fytyrë nga Marsel Kovaçi. Policia arreston agresorin dhe babanë e tij
POGRADEC- Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Gjykatën e Pogradecit teksa një 20- vjeçar ka hyrë brenda dhe ka goditur me grusht një prej gjyqtarëve. Burimet zyrtare të policisë lokale pohuan dje se 20- vjeçari Marsel Kovaçi ka hyrë në zyrën e gjyqtarit të këtij rrethi, Agron Papajani, dhe e ka kërcënuar këtë të fundit. Ai ka nisur që t’i kërkojë llogari përse nuk po dënohet autori që para pak muajsh kishte qëlluar me thikë Marsel Kovaçin. Gjyqtari Agron Papajani i ka thënë Marsel Kovaçit që gjyqi do të zhvillohet sipas programit dhe është zhvilluar një seancë dhe priten të zhvillohen të tjerat. Por 20- vjeçari Marsel Kovaçi befas e ka qëlluar gjyqtarin Agron Papajani me grusht në fytyrë duke i lënë edhe një shenjë dalluese nga një unazë metalike që ai mbante në gisht. Menjëherë ka ndërhyrë polici i shërbimit të gjykatës dhe më pas ka mbërritur edhe grupi i gatshëm i policisë, i cilika bërë shoqërimine 20- vjeçarit Marsel Kovaçi në komisariat me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Por në këtë ngjarje është implikuar edhe babai i Marsel Kovaçit. Teksa policia shoqëronte të birin, ai ka ndërhyrë për t’i ndaluar. Në këto kushte, ka nisur një konfrontim fizik, i cili ka përfunduar edhe me arrestimin e Lefter Kovaçit me profesion shofer. Ndërkohë që është bërë ndalimi i tij. Sipas burimeve policore ka ndërhyrë edhe i jati i Marselit, Lefter Kovaçi, me profesion shofer i cili ka kundërshtuar policinë për ndalimin e djalit të tij. Ai akuzohet për kundërshtim të forcave të policisë dhe tashmë dosja penale i ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. -----------------------------------Mynir dhe Thëllëza Muço janë varrosur në dy fshatra të ndryshme, secili aty ku banojnë prindërit
Varroset i ndarë çifti i vrarë në burgun e Peqinit
POGRADEC– mesditën e djeshme është zhvilluar në fshatin Slabinjë ceremonia e varrimit të Thëllëza Muços (Sinanit). Në varrimin e të ndjerës, trupi i së cilës ka mbërritur në shtëpinë e saj në Slabinjë, nga Tirana ku u krye ekspertiza e kufomës, ka marrë pjesë pothuajse i gjithë fshati. Madje edhe banorë të fshatrave të tjera përreth, të cilët kishin njohje familjare me të kanë shkuar për të marrë pjesë në këtë ceremoni mortore duke i dhënë lamtumirën nënës së dy fëmijëve të vegjël, një vajze dhe një djali që tashmë do të ngelen jetimë. Shumë lule, shumë lotë shumë dhimbje për fatin tragjik të Thëllëzës, të cilës dje iu dha lamtumira e fundit.
Ndërkohë edhe në fshatin Trebinjë rreth orës 13 është bërë varrimi i Mynir Muços. E veçanta ishte se në varrim kanë marrë pjesë edhe dy vëllezërit e tij, Lulëzimi dhe Blendi të dy të dënuar bë Burgun e Peqinit, të cilët janë sjellë nga një eskortë e forcave speciale. Menjëherë pas ceremonisë mortore dy vëllezërit janë marrë përsëri nga eskorta e policisë në drejtim të burgut ku ata vazhdojnë të vuajnë dënimin.