Depresioni, 52- vjeçari tenton vetëhelmimin
Lushnje, Bajazit Nezha jetonte i vetëm në shtëpi dhe prej kohësh ishte një pacient i rregullt i mjekëve psikiatër
LUSHNJE- Depresioni për pak sa nuk i ka marrë jetën një 52- vjeçari nga Lushnja. Ai ka konsumuar një sasi të madhe helmi por ndërhyrja në kohë e familjarëve dhe mjekëve ka bërë që t’i shpëtojë vdekjes. Burimet zyrtare të policisë njoftuan se rreth orës 12.00 të ditës së djeshme, në repartin e reanimacionit të spitalit të Lushnjes ka mbërritur një burrë, i cili, sipas disa të afërmve, kishte pirë helme që përdoren për luftimin e sëmundjeve në bimët bujqësore. Bajazit Nezha, 52 vjeç, nga Kosova e Madhe, ka tentuar edhe herë të tjera për tu vetëvrarë, por kanë qenë të afërmit ata që e kanë shpëtuar, kështu ka ndodhur edhe dje kur të afërmit e kanë gjetur në gjendje tepër të rëndë. Ata kanë shpjeguar se ai ka qenë i pa fat në jetë dhe kjo e ka shtyrë në depresion. Disa vite më parë atij i ka vdekur bashkëshortja, ndërsa vajzat jetojnëjashtë vendit. Duke qene i vetmuar nuk ka mundur të përballojë jetën dhe ka vendosur t’i japë fund asaj. Në repartin e reanimacionit tregojnë se Bajazit Nezha është pacient i rregullt i një mjeku psikiatër dhe kurohet vazhdimisht për të pasur ekuilibër mendor. Mjekët e reanimacionit thonë se si fillim gjendja shëndetësore e të vetëhelmuarit paraqitet e rëndë, pasi ka pirë sasi të konsiderueshme të helmit. “Po synohet të arrihen parametra pozitivë dhe me kalimin e kohës do të përcaktohen rrugët për ta mbajtur nën kontroll në spitalin e Lushnjes apo do ta dërgojmë në Tiranë për një ndërhyrje më të specializuar”,- thanë dje mjekët e spitalit.