E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krim penal Rama Kutite ne duart e grabitesve

Kryetari i Socialistëve Edi Rama denoncoi vendimin e sotëm të KQZ-së, për hapjen e kutive të tjera, duke e cilësuar si vazhdimin e kanibalizmit elektoral të urdhëruar sipas tij nga Sali Berisha. Hapja e kutive, deklaroi kryetari i opozitës është jo legjitime, duke iu drejtuar kolegjit të vërë në vend drejtësinë.

”Që të gjithë, Presidenti i Republikës, trojka e ambasadorëve, Departamenti i Shtetit, BE, njëzëri bashkë me ne, në këtë rast si palë e interesuar kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi. Në rast se kjo nuk ndodh, dhe ky manipulim në sytë e të gjithëve legjitimohet në thonjëza, përmes vulës së padrejtësisë, merret me mend se si do shkojnë punët e demokracisë,drejtësisë dhe ekonomisë në vend”-tha Rama.

Rama e ka konsideruar penale, shkeljen e ligjit dhe jo me administrative, duke i apeluar edhe prokurorisë ku selia rozë ka bërë denoncimin ndaj KQZ-së, të japë drejtësi. Rama sqaroi edhe përse socialistët ndërprenë protestat përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shtuar se tani PS është e detyruar të presë vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

“Rruga ligjore është rrugë që duhet ndjekur patjetër. Që t’i referohemi kolegjit si trupa gjykuese që mund të zgjidhë me nder këtë nyje, që rrezikon të kthehet në litar në qafën e vendit, sepse Saliu nuk tërhiqet nga përpjekja e paudhë për të vjedhur mandatin e Tiranës, duke përmbysur rezultatin në tavolinë në mënyrë të paligjshme, kriminale nëpërmjet KQZ-së”-tha ai.
 
Megjithë apelin drejtuar prokurorisë dhe kolegjit zgjedhor, Rama shprehu pak besim të organet e drejtesisë në vend, duke ripërsëritur se forca e tij politike mirëpret asistencën e Komisionit të Venecias për vendimin e Tiranës.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›