E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradeci barazon pa gola në miqësoren kundër Tomorin

Nga NDERIM GOCI
Ka përfunduar në barazim miqësorja e zhvilluar dje midis liqenorëve dhe skuadrës beratase, takim ky i zhvilluar në stadiumin Gjorgji Kyçyku
Është mbyllur në barazim miqësorja e zhvilluar dje në stadiumin Gjorgji Kyçyku të qytetit të Pogradecit , midis ekipit vendas dhe atij të Tomorit. Takimi është zhvilluar me ritëm të lartë, por ajo që duhet pranuar është se pogradecarët e kërkuan më me ngulm golin e avantazhit. Megjithatë, ata kanë hasur në mbrojtjen e mirë organizuar të miqve, të cilët nuk kanë lënë hapësira në prapavijën e tyre për asnjë moment. As beratasit, në rastet që u janë ofruar nuk kanë mundur dot të gjejnë rrugën e rrjetës. Skuadra liqenore ka zhvilluar tri miqësore, duke provuar shijen çdo rezultati të mundshëm.  Fillimisht ata kanë fituar ndaj Gramshit rezultatin 3-1. Më pas vjen humbja kundër Kastriotit dhe së fundi barazimi i djeshëm 0-0 me Tomorin. Pavarësisht rezultateve të arritura në këtë periudhë, pozitiv është progresi që ka shënuar dita-ditës ky ekip.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›