E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradeci nuk di te ndalet nis arratisja ne klasifikim

Ndeshjet Fiton edhe Apolonia, Lushnja dështon sërish në transfertë ndaj Burrelit

Është Pogradeci lideri i padiskutueshëm i kësaj Kategorie të Parë. Liqenorët kanë marrë një fitore të rëndësishme 0-1 në transfertë kundër Mamurrasit dhe tashmë e shikon veten në kuotën e 31 pikëve, 4 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Apolonia. Triumfi i pogradecarëve bën akoma dhe më shumë bujë për faktin se është realizuar në një fushë të vështirë si ajo e Mamurrasit, që është dhe një prej pretendentëve për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Një gol u ka mjaftuar liqenorëve për të marrë 3 pikët në fushën e këtij të fundit, duke konsoliduar pozitat në krye të klasifikimit dhe duke mos u lëshuar aspak terren ndjekësve. Kjo është fitorja e katërt radhazi për skuadrën e trajnerit Ylli Çekiçi. Ndërkohë që kanë fituar edhe pretendentët e tjerë. Në “Loni Papuçiu” të Fierit, Apolonia ka mposhtur me rezultatin 2-1 Vlorën, ndërsa në Berat, Tomori mundi 2-0 Luftëtarin. Lushnja duket se nuk di të fitojë më. Ajo është mundur dje në Burrel, duke humbur terren në luftën për t’u ngjitur në Superiore. Matjanët i kanë mundur lushnjarët me rezultatin 1-0. Surprizë është edhe ndalesa e Kamzës, e cila gjithashtu është shfaqur shumë ambicioze në këtë kampionat. Skuadra e drejtuar nga Skerdi Bejzade nuk ka shkuar dot më tej se barazimi 1-1 në Gramsh, duke mos marrë pikët maksimale këtë javë. Vetëm barazim është regjistruar edhe për Partizanin, i cili është ndalur te rezultati 2-2 në ndeshjen e luajtur në Kamzë ndaj Adës së Velipojës. Fitorja mbetet ende tabu për ekipin e Neptun Bajkos, që vazhdon të notojë në vendet e fundit të tabelës. Gramozi ka marrë një fitore të thellë 3-0 në sfidën e djeshme të luajtur në shtëpi kundër Bilisht Sportit. Kjo ndeshje u luajt në një fushë që ishte e mbuluar thuajse krejtësisht nga dëbora. Përjashtimi i vetëm i javës së 13 është sfida mes Tërbunit dhe Besëlidhjes, i cili u shty për shkak të motit të keq e me dëborë në Pukë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›