Pogradeci nuk e fal Tomorin, edhe pse vuan për një gol
Nga GAVROSH PAPA
Pogradeci Tomori 1-0
Shënues: Tanushi 69
Pogradeci: Hoxha, Kllogjeri, Çerepi, Drazhanin, Çajku, Balla (Çela 80), Baze (G. Çekici 73), Çipi (Larti 62), Elmazi, Tanushi, Eminazeri.
Trajner: Y. Çekiçi
Kartonë të verdhë, Hoxha, Baze, Elmazi, Tanushi
Tomori: Llani, Nino, Shameti, Kaja, Çaushaj, Çela, Hodo, Gjyla, Bakiu (Mile 60), G. Arbri, Hamzai (Krasniqi 73).
Trajner: P. Daiu.
Kartonë të verdhë: Kaja, Bakiu
Gjyqtarë: A. Janku, A. Pregja, D. Agaraj (Tiranë)
Radiografia
8- Elmazi jep sinjalin e parë në drejtim të portës beratase, Llani pret i sigurt.
10- Arbri vidhet brenda zonës, shërben bukur për Bakiun, por ai gjuan shumë lart traversës.
24- Çajku hedh në zonë një rivënie anësore, që rezulton një asist për Eminazerin pranë vijës fatale, por në momentin e fundit ndërhyn Shameti.
31- Baze bën një rrotullim në mesfushë, shmang dy lojtarë të Tomorit, jep një asis për Ballën, i cili preferon të shërbejë për Eminazerin, i cili fare pranë portës gjuan jashtë.
33- Arbri shpërthen bukur në zonë, ku pas një hutimi të mbrojtjes pogradecare përfiton Hamzai, por gjuajtja e tij është shumë e keqe dhe përfundon jashtë.
43- Një aksion model i pogradecarëve, Eminazeri gjuan fort, por Llani pret i sigurt.
45- Elmazi godet nga 30 metra, por Llani në një formë të shkëlqyer pret.
46- Çipi gjuan keq, por gjuajtja e tij shndërrohet në një asist për Ballën, i cili gjuan, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
57- Tanushi pengohet brenda zonës nga Shameti, por për
gjyqtarin nuk ka 11-metërsh.
58- Balla depërton brenda zonës, i vetëm me Llanin, por ky i fundit bën mrekullinë, duke shpëtuar një gol.
68- Elmazi godet fort, topi përfundon fare pak mbi traversë.
69- Balla pason në zonë për Tanushin, i cili pasi shmang Shametin, godet fort tokazi dhe topi përfundon në rrjetë. 1-0 për Pogradecin.
73- Eminazeri futet bukur në zonë, godet fluturimthi në trekëndëshin e majtë, por Llani largon në korne.
77- Çaushaj pranë vijës së 16-metërshit godet jashtë.
88- Krasniqi kroson nga e majta për Arbrin, i cili godet me kokë, por topi përfundon jashtë.
Çekiçi: Dominuam dhe e merituam fitoren
Megjithë tensionin e madh që kemi pasur gjatë gjithë javës, si dhe mungesat e plot 5 lojtarëve, jam munduar së bashku me stafin të karikojmë si duhet të gjithë lojtarët, të cilët dua ti falënderoj për atë që dhanë sot (dje) në fushë, ku mendoj se e kemi merituar fitoren. Në pjesën e dytë ne dhamë më të mirën tonë, duke e dominuar takimin dhe shpërdoruar shumë raste, pasi rezultati mund të ishte më i thellë. Rëndësi ka fitorja, pasi për gabimet do të flasim gjatë ditëve në vijim.
Daiu: Lëshuam në pjesën e dytë dhe e pësuam
Mendoj se ka qenë një ndeshje me dy tablo, ku ekipi në pjesën e parë ka zbatuar si duhet detyrat, por në pjesën e dytë kemi lëshuar në lojë, gjë e cila u shfrytëzua nga kundërshtari. Gjithsesi, dua të theksoj se ekipi që unë drejtoj ka vuajtur mungesat e disa lojtarëve, të cilët mendoj se ndikuan në rezultatin e ndeshjes, si dhe kushtet jo të përshtashme në të cilat stërvitet ekipi. Duhet të kishim marrë një barazim, sepse i kishim mundësitë, dhe kjo do të ndikonte shumë në anën morale.
Komenti
Ka marrë tri pikët e para në superligë, aq më tepër përballë një rivali të drejtpërdrejtë si Tomori. Pogradeci, vërtet që javën e parë humbi, kjo pritej pas shumë mungesave, por në ndeshjen e shtëpisë nuk gabon, duke e çuar në 16 numrin rresht të fitoreve në stadiumin Gjorgji Kyçyku, duke llogaritur edhe 15 ndeshjet në kategorinë e parë. Përballë një rivali direkt, ky tripikësh merr vlera të mëdha për liqenorët, ndërsa e kundërta ndodh për Tomorin, që mbetet me një pikë pas dy ndeshjesh.
Pjesa e parë Takimi ka filluar me një ceremoni festive. Në fillim skuadrat studiojnë njëra-tjetën, ku Pogradeci është i rreshtuar me skemën 4-4-2, me Eminazerin dhe Tanushin në sulm. Me të njëjtën skemë u përgjigj edhe skuadra beratase, me Bakiun dhe Arbrin në sulm. Skuadra pogradecare, duke qenë në një presion të madh psikologjik për fitore para tifozëve të vet, nuk del në lojën e saj, ku mungon qarkullimi i topit dhe u luajt me topa të gjatë, mënyrë loje kjo që i shkoi për shtat mbrojtjes së Tomorit, ku Shameti dhe Kaja janë të fortë në luftën në ajër dhe fitojnë të gjitha dyluftimet me sulmuesit pogradecarë, duke pasur edhe sigurinë e Llanit në portë, në një ditë të shkëlqyer. Nga ana e vet, Tomori në këtë pjesë loje u kujdes më tepër për mbrojtjen, pa hequr dorë nga kundërsulmet e rrezikshme, ku Arbri dhe Hamzai rrezikojnë hera-herës, duke mbajtur në tension mbrojtjen pogradecare. Vendësit, me gjithë dëshirën e madhe për ta fituar takimin, ishin të paqartë në veprimet sulmuese në pjesën e parë, duke e mbështetur te goditjet standarde, por mbrojtja beratase bëhet e pakalueshme së bashku me portierin Llani.
Pjesa e dytë Krejt ndryshe fraksioni i dytë, ku liqenorët marrin frenat e lojës në dorë dhe hidhen që në minutat e para në sulm, duke krijuar një mori rastesh të njëpasnjëshme në portën e Tomorit, ku që në momentet e para të pjesës së dytë Balla humbet një rast flagrant vetëm për vetëm me Llanin. Tomori detyrohet të mbrohet me shumë forca për ruajtjen e barazimit. Ndërkohë liqenorët me kalimin e minutave dalin në lojën e tyre, ku Tanushi bëhet një rrezik serioz për mbrojtjen e Tomorit dhe futbollistët beratas shpeshherë ndërhyjnë në mënyrë të parregullt për ta ndërperë. Pogracarët, duke parë dhe tërheqjen e Tomorit, në minutat në vazhdim hidhen të gjithë në sulm, duke krijuar raste të pastra shënimi, ku Eminazeri dhe Balla humbasin raste të pastra për shënim. Veçohet rasti i Ballës, ku 5 metër larg portës gjuan, por Llani bën mrekullinë. Tashmë në fushë ka vetëm një skuadër, Pogradeci. Pas një presioni në rritje, në minutën e 69-të, me një depërtim në krahun e djathtë nga Balla, i cili fut një top në zonë për Tanushin, duke shmangur bukur Shametin, gjuan fort tokazi, duke pomshtur më në fund portierin Llani. Me gjithë lëvizjet e Daiut, Tomori nuk ka forca për të shtyrë përpara dhe janë përsëri pogradecarët që rrezikojnë më shumë. Në minutat e fundit skuadra beratase është hedhur e gjitha në sulm, por barazimi nuk vjen. Mbyllet kështu kjo ndeshje dhe tifozët liqenorë gëzojnë tripikëshin e parë të sezonit.
