Skrapari nuk fal në shtëpi, mund Besëlidhjen
Nga Çorovoda, Kejvi Lajthia
Skrapari Besëlidhja 2-1
Skrapari: Spiraj, Çerepi, Hoxha, Koreshi, Allbani, Hasa (Vargu 80), Greca (Papleka 85), Bejleri, Karaj, Duro (Biba 75), Brata. Trajner: E. Dalipi.
Besëlidhja: Xhika, Shytani, Peqini, Stoikoviç (Malasi 46), Kepi, Pepaj, Gruda, Trakojviç, Miliç (Shyti 46), Dibra. Trajner: R. Kulli.
Shënues: Brata 3, 30 / Gruda 85
Gjyqtarë: A. Lulaj (Vlorë), O. Grabova (Fier), M. Qose (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Koreshi, Bejleri, Brata, Stojkoviç, Malasi, Trajkoviç
Shënues: Brata 3, 30 / Gruda 85
Ekipi i Skraparit nuk fal në fushën e tij, ku këtë radhë ka marrë pikët maksimale,edhe pse ka pasur përballë një tjetër pretendent për superligën, siç është Besëlidhja. Dy gola të Bratës i kanë dhënë fitoren Skraparit, që gjendet në kuotën e 4 pikëve, pas dy javëve të para të kampionatit. Vendësit e nisin ndeshjen në sulm dhe që në minutën e 3-të shënojnë golin e parë, pas një aksioni të rrjedhshëm të finalizuar nga Brata. Rrezikojnë më pas miqtë lezhjanë me Grudën, por pa rezultat, ashtu sikurse Hasa për Skraparin. Besëlidhja përpiqet të barazojë me anë të Miliçit, por në minutën e 30-të Brata dyfishon, duke u dhënë një tjetër goditje miqve. Dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kryesori Lulaj akordon një 11-metërsh për Besëlidhjen. Gjuan Gruda dhe topi përplaset në shtyllë. Loja sa vjen dhe bëhet më e bukur, pasi miqtë nuk kanë çfarë të humbasin dhe hidhen në sulm, duke krijuar edhe raste. Nga ana tjetër, Duro i ka të gjitha mundësitë për të shënuar golin e tretë për vendësit, por pret portieri mik. Besëlidhja shënon një gol në minutën e 60-të, që anulohet nga njëri prej anësorëve për pozicion jashtë loje. Loja ashpërsohet, ka edhe ndërprerje të saj, gjë që e vërteton edhe numri i lartë i kartonëve të verdhë. Në minutën e 70-të, Gruda, më i miri për miqtë, gjuan fort, përsëri pret portieri Spriraj. Kur të gjithë mendonin se ndeshja do të mbyllej me rezultatin 2-0, me një goditje dënimi nga rreth 30 metra, Gruda shënon golin e nderit për lezhjanët. Edhe në minutat shtesë miqtë nuk munden të barazojnë dhe kjo ndeshje mbyllet me fitoren e Skraparit, që është përkrahur nxehtësisht nga një numër i madh tifozësh. Kjo fitore vjen javën e dytë dhe shpresohet që ekipi të ecë me këta ritme dhe në vazhdim.
Trajnerët
Edmond Dalipi, trajneri i Skraparit: Fitorja na gëzon dhe erdhi në momentin e duhur. Ekipi zbatoi drejt detyrat, megjithëse pati momente kur u zbeh forca goditëse. Falënderoj tifozerinë për mbështetjen që na dha në këtë ndeshje.
Ridvan Kulli, trajneri i Besëlidhjes: Erdhëm me mendimin për fitore, por nuk e realizuam dot. Kam mendimin se ekipin e Skraparit, veç golit të parë, që ishte me meritë, e ndihmoi gjyqtari. Skrapari do të jetë i vështirë për çdo ekip.