E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, nesër analizë e fortë për humbjen në Kamëz

Nga GJERGJ KOLA

Gjërat nuk ndryshojnë, pavarësisht se kanë ndryshuar drejtuesit e klubit. Humbja ndaj Kamzës ditën e premte nuk do të kalohet pa u analizuar hollësisht. Do ta bëjnë këtë gjë edhe drejtuesit aktualë të klubit, që pavarësisht se tashmë nuk janë privatë, por pjesë e bashkisë, sërish do merren me humbjen. Kjo pritet të ndodhë ditën e hënë, që është edhe dita e parë e javës për ta. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit, sipas të cilëve, humbja me Kamzën nuk do kalojë lehtë. Nuk parashikohet gjobë apo ndonjë masë tjetër ndëshkimore, por thjesht do u tërhiqet veshi të gjithë pjesëtarëve të skuadrës. Merret vesh se në sitë do të kalojnë të gjithë, që nga trajneri Josa dhe deri te futbollisti i fundit. Humbja në takimin e fundit ka qenë krejt e palogjikshme. Në një fushë të qetë, pa asnjë lloj presioni, përballë një kundërshtari që dallohej qartë se kishte diferenca të mëdha me Vllazninë në sensin negativ, kuqeblutë kanë bërë shumë pak për të fituar. Lojtarët e saj u duk se u tallën në pjesën e parë me golin dhe gjynahet e mosshënimit të tij dolën në pah në fillimin e pjesës së dytë me golin e vendasve.

Kritikat Trajneri Josa mund të jetë justifikuar në mënyra të ndryshme për këtë humbje, por e vërteta është se gjatë atij 90 minutëshi kanë gabuar të gjithë. Duke filluar nga portieri Vujadinoviç dhe deri te sulmuesi Sukaj. Ndoshta e kanë marrë të lehtë ndeshjen, ndoshta forma e shumë lojtarëve nuk është ende në lartësinë e duhur, por këtë humbje tifozët kuqeblu, që kanë qenë të pranishëm, nuk ua falin të besuarve të tyre. Ata kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për të shijuar një fitore të dytë në këtë kampionat të saponisur, por janë zhgënjyer nga ajo çfarë kanë parë në fushë. Kritikat e tyre nuk janë adresuar vetëm te Muça e Petroviç, dy lojtarët e blerë së fundi, por edhe tek të tjerët. Madje kritikat më të mëdha kanë shkuar për lojtarët me përvojë, ata që duan të mbajnë peshën e skuadrës.

Analiza Humbja me Kamzën i ka kthyer shkodranët edhe një herë me këmbë në tokë. Kryetari i bashkisë Lorenc Luka, që mban edhe postin e presidentit, ka menduar ndoshta vërtet që Kamza apo Laçi nuk mund të maten me emrin dhe traditën e Vllaznisë në futboll, por ja që nuk qenka kështu. Në këtë lojë vendos dëshira, shpirti i garës dhe shumë faktorë të tjerë që janë përcaktues në rezultatin e një ndeshje. Se çfarë masash do marrë ai dhe stafi i tij, ende nuk dihet, megjithatë një gjë është e qartë: hallet për ta kanë filluar tani. Ata po e kuptojnë se nuk qenka kaq e lehtë të drejtosh një klub futbolli dhe prandaj do shpejtojnë për të kapur situatën në dorë sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë arsye, pritet tua bëjnë të qartë të gjithëve, futbollistëve e trajnerëv, atë që kërkojnë prej tyre. Kjo do ndodhë në mbledhjen e së hënës.

Kuqeblutë: Sadiku na vodhi një 11-metërsh

Për drejtuesit e Vllaznisë dhe futbollistët e saj nuk ka mjaftuar goli i pësuar nga Kamza në fillimin e pjesës së dytë, por menjëherë pas tij, ka ardhur një tjetër dënim për ta. Këtë herë nga gjyqtari i takimit Remzi Sadiku, i cili në minutën e 59-të të ndeshjes ka gabuar, duke mos akorduar një 11-metërsh të pastër për Vllazninë. Vajushi është penguar brenda zonës në mënyrë të dukshme nga portieri Bytyçi dhe për një moment gjyqtari ka treguar me dorë pikën e bardhë, por më pas ka ndryshuar mendje, duke e çuar dorën drejt flamurit të këndit. Një vendim absurd, sepse portieri vendës nuk e ka prekur fare topin në atë moment dhe, nëse nuk do ishte 11-metërsh, nuk kishte pse të akordonte goditje këndi për Vllazninë. Ky vendim është kontestuar ashpër nga futbollistët kuqeblu në atë moment, por edhe nga drejtuesit e saj pas ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›