Shkumbini i përforcuar kalon pa probleme Apoloninë
Shkumbini Apolonia 2-0
Shënues: Xhyra 44, Sulkja 51
Shkumbini: Kotorri, Vogli (Ramazani 46), Pashja, Xhyra, Diop, Shenaj, Sulkja, Lluca (E. Magani 77), Gjata, Dervishi, Mustafaj (A. Magani 75).
Trajner: K. Mile.
Kartonë të verdhë: Gjata, Xhyra, Shenaj, A. Magani
Apolonia: Xhixha (Xhelilaj 46), Ofojeh, Da Silva, Muhaj, Gërxho, Meto, Rama, Pasha, Ribaj (Agastra 62), Muçaj (Pepaj 39).
Trajner: S. Nica.
Gjyqtarë: M. Masho, E. Biçaku, R. Avdo (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Muçaj
Radiografia
2- Mustafaj përfiton nga mosmarrëveshjet e mbrojtësve me portjerin Xhixha, por nuk tregohet i saktë, duke gjuajtur keq.
12- Kundërsulmi i shpejtë i Apolonisë mbyllet me gjuajtjen e fortë të Pashës, që përfundon ngjitur me shtyllën pingule.
20- Sulmuesi Dervishi shpërdoron një mundësi të mirë për të shënuar, kur del i vetëm përballë portierit Xhixha.
34- Kotorri tregohet i saktë, duke arritur të grushtojë me vështirësi topin e ardhur pas goditjes së këndit nga kapiteni Gërxho.
39- Pasha gjuan, topi përplaset në traun e sipërm të portës.
44- Sulkja në qendër të sulmit shërben saktë për Mustafajn, që pason në zonë për Xhyrën, ky i fundit shënon, 1-0 për Shkumbinin.
51- Xhelilaj del fitues duke grushtuar topin, por nuk ka se çfarë ti bëjë më pas gjuajtjes me kokë të Sulkjes pas ekzekutimit të kësaj goditjeje nga këndi, që dyfishon rezultatin në 2-0.
58- Dervishi shpërdoron rastin më të mirë për ta mbyllur ndeshjen me golin e tretë, por Xhelilaj në pozicion arrin të grushtojë, duke e devijuar topin në goditje këndi.
75- Diop arrin në çastin e fundit të bllokojë gjuajtjen e Pashës.
85- Dy vëllezërit Magani kanë mundësinë të shënojnë golin e tretë, kur i vogli, Arturi, shërben për Endrin, që i vetëm përballë Xhelilajt nxitohet dhe gjuan jashtë.
88- Ramazani i heq mundësinë për të shënuar kapitenit Gërxho, duke arritur tia largojë topin.
Komenti
Shkumbini ka siguruar dje përballë ekipit të Apolonisë një fitore të pastër 2-0, me 2 gola të shënuar në secilën pjesë. Për ekipin e drejtuar nga Mile, ishte një fitore plotësisht e merituar, që erdhi pas një vlerësimi më të mirë që ditën ti bëjnë këtij takimi. Ishin 3 pikët e para për Shkumbinin në kampionat, që patën vlera më shumë në anën morale për ekipin e përbërë nga futbollistë të rinj, i cili vinte pas humbjes me Bylisin një javë më parë. Trajneri Mile, me dy përforcimet e fundit, të mbrojtësit Diop dhe të mesfushorit Shenaj, pati mundësinë që ta harmonizojë më mirë elementin e ri me atë me përvojë dhe kjo u pa në fushën e lojës, kur futbollistët e rinj ditën të orientohen edhe më mirë se një javë më parë, duke i shërbyer edhe më shumë lojës së ekipit. Golat për Shkumbinin erdhën nga mbrojtësit, duke u dhënë një mësim të mirë sulmuesve, që në ndeshjen e djeshme, sidomos në pjesën e parë, shpërdoruan shumë raste përpara portës. Vlen për tu përmendur goli i shënuar nga 17vjeçari Eneo Sulkja, kur një javë më parë të njëjtën gjë bëri moshatari tij Artur Magani.
Pjesa e parë Shkumbini e nisi më mirë takimin, duke u vënë menjëherë në kërkim të golit. Sulmuesi Mustafaj, që sakrifikoi duke luajtur i dëmtuar, i pati mundësitë që ta ndëshkonte Apoloninë që në minutën e dytë, por gabon. Do të jetë ekipi vendës që do të dominojë në fushën e lojës, duke krijuar disa raste në portën kundërshtare, por pa mundur që ta konkretizojë, më tepër për dobësi të sulmuesve peqinas sesa të mbrojtësve miq, që duhet thënë që treguan pasiguri në shumë momente. Duhej të vinte minuta e 44-t, kur pritej të mbyllej pjesa e parë, që Shkumbini të shënonte me anë të mbrojtësit Xhyra, që pati meritën në mënyrën e shënimit të golit, duke treguar qetësi e saktësi.
Pjesa e dytë Mile aktivizon mbrojtësin Ramazani në vend të 17vjeçarit Vogli, ndërkohë që Nica largon portierin Xhixha për të aktivizuar Klodian Xhelilajn, i cili për çudi, futet me vonesë në fushën e lojës në mungesë të fanellës së vet. Edhe në këtë pjesë është ekipi vendës që tregohet më kërkues në fushë, duke arritur në minutën e 51-të të dyfishojë rezultatin me golin me kokë të Sulkjes, për ta vulosur atë në favor të Shkumbinit. Skuadra e Apolonisë, megjithë dëshirën, e pati të vështirë të organizohej në mesfushë, duke u kujdesur dhe përqendruar më tepër në veprimet mbrojtëse të skuadrës, aty ku u shfaqën edhe dobësitë më të mëdha. Ishin vetëm kundërsulmeve, ku gjithnjë protagonist ishte kapiteni Gërxho, që kërkonte ta rrezikonte Shkumbinin, por pa mundur të bënte më shumë. Si përfundim, mund të themi që ishte një fitore më se merituar e Shkumbinit, pas një loje korrekte nga të dy ekipet, që u ndihmua nga gjykimi i saktë i kryesorit Migen Masho.
Mile: I kënaqur nga tri pikët|
Duke u nisur nga grupi i futbollistëve që ishin në fushë, mund të them se jam i kënaqur më shumë nga tri pikët e marra sesa nga loja që zhvilloi ekipi. Për golat e shënuar nuk ka rëndësi se kush e dërgoi topin në rrjetë, sepse goli mbetet i gjithë ekipit. Po të kishim gjetur golin më përpara dhe lojtarët po të ishin treguar jo egoistë, ekipi do të ishte çliruar. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore, që është përballuar nga ekipi dhe jam i mendimit që ky grup do të arrijë të përballojë kampionatin. Është një ekip i ri dhe me perspektivë dhe mendoj që do të ecë. Formacioni pati ndryshime nga java e kaluar, por edhe futbollistët që nuk u aktivizuan ishin të gatshëm dhe pretendentë për të luajtur. Kampionati është i gjatë, ata e të tjerët do të kenë mundësi të jenë në fushën e lojës. I uroj suksese ekipit të Apolonisë, që pavarësisht humbjes, tregoi se ka një ekip kompakt që di të luajë futboll.
Të veçanta:
- Trajneri i Apolonisë, Stavri Nica, nuk u prononcua, duke u larguar menjëherë pas përfundimit të takimit.
- Çmimet e biletave për ndeshjen e djeshme ishin më të ulëta, krahasuar me kampionatin që lamë pas. Kështu, dje biletat në tribunën qendrore u shitën 300 lekë nga 500 që ishin më parë, ndërsa në tribunat e tjera çmimi ishte vetëm 100 lekë.
- Kryebashkiaku dhe presidenti i Shkumbinit, Ilir Rrushi, e ndoqi takimin në tribunën VIP në prani të kryetarit të bordit mbikqyrës të sh.a-së, Shkëlzen Dajsmaili.
- Pjesa e dytë nisi me 3 minuta vonesë, shkak u bë portieri Xhelilaj, që zëvendësoi Xhixhën. Ishte gjyqtari i katërt që lajmëroi kryesorin për mungesën e portierit dhe pas shumë përpjekjesh u gjet fanella për Xhelilajn dhe nisi normalisht pjesa e dytë.
- Rreth 50 tifozë fansa fierakë kishin udhëtuar në Peqin.
- Asnjë kamer nuk u lejua të filmonte takimin, në mungesë të Supersport, por pas ndërhyrjeve te drejtuesit e klubit dhe vëzhguesit të FSHF-së, këtë të drejtë e mori vetëm TVSH.
