"Poker" bjellorus ndaj kuqezinjve të Bushatit
Është një Shqipëri e brishtë në të ftohtin bjellorus. Tre gola të pësuar në pjesën e parë në harkun e 15 minutave dhe një tjetri në fraksionin e dytë të lojës regjistruan humbjen e 4-t të "kuqezinjve të vegjël" në 5 ndeshje për kualifikimet e evropianit 2011. Për tanët, atëherë kur rezultati ishte vulosur nga vendasit, shënuan golat e nderit, kosovari me pasaportë shqiptare, Ahmet Januzi dhe sulmuesi i Teutës së Durrësit, Vilfor Hysa. Ndërsa u shqua për lojën e tij edhe fieraku 18-vjeçar i Flamurtarit Odise Roshi, i cili rrezikoi disa herë portën e skuadrës bjelloruse. Për t'u theksuar është fakti se ky takim u hoq menjëherë nga kompanitë e basteve që mëngjesin e ditës së djeshme duke mos u luajtur në asnjë sallë bastesh në vendin tonë.