E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbje foshnjarake ndaj Suedisë së Ibras

 

Leonard Karaj

Kombëtarja shqiptare ka humbur ndeshjen e fundit ndaj Suedisë me rezultatin 4-1 duke i thënë lamtumirë edhe vazos së 4-t në shortin e EURO 2012. Shqipëria kthehet si gjithnjë në origjinën e vet. Pas një nisje të mirë të fazës kualifikuese vjen një mbyllje trashanike, plot gabime dhe me bollëk golash të pësuar. Ndodhi kështu para dy vitesh, teksa humbisnim në Bukuresht 6-1 ndaj Rumanisë, u përsërit mbrëmë në Stokholm ndaj Suedisë me një poker verdheblu. Një skuadër e çekuilibruar ku binte në sy loja mjaft e dobët e Dallkut në mbrojtje, e Beqirit komplet jashtë pozicionit të tij natyral, të Duros inekzistent, Hykës jo në ditët e tij më të mira dhe të Salihit që gabon shumë topa në zonë të rreptësisë. Gjithsesi shkodrani justifikoi vetveten me golin e vetëm të shënuar për ekipin tonë si dhe me dy goditje që për pak mund të kishin përfunduar në rrjetë. Mirë Cana, Bulku e Skela, nota më pozitive për Bogdanin dhe Ujkanin. Ky i fundit edhe pse pësoi 4 gola zgjodhi jo pak raste të rrezikshme tek porta e tij, ndërsa "Bogu" ishte i vetmi që arrinte të mbante lart skuadrën.
Ndeshja
Kuzhe vendosi të luante në sulm duke mos iu ndarë dyshes Salihi-Bogdani por gaboi në rreshtimin e Duros në qendër të mesfusëhs dhe të Beqirit gati në rolin e plejmejkerit. Më pas edhe zëvendësimi i Haxhit, i dëmtuar me Hykën nuk i dha të drejtë për faktin se mesfushori i ri nuk arriti të tregonte asgjë nga repertori i tij. Suedezët luajtën qetë dhe pa asnjë lloj impenjimi, duke lënë që edhe skuadra jonë të kishte mudnësi që të qarkullonte topin. Madje me po aq lehtësi dhe qetësi ata shënuan edhe tre golat e parë në fraksionin e parë të ndeshjes. Dy gabime trashanike të Dallkut dhe një i Currit sollën tre shënjestra vendase. Në pjesën e dytë Shqipëria tentoi që të reagonte duke u shfaqur më shumë te porta e Isaksonit por Salihi në dy raste tregohet më egoist se ç'duhej. Gjithsesi në minutën e 56-të ai shkurton diferencën e golave duke dhënë më shumë shpresë te kombëtarja jonë.

Skeda

Suedi-Shqipëri 4-1

Shënues: Mellberg 6', 42, Berg 40', Svenson 86'/ Salihi 56'
Karton i verdhë: Svenson 28'/ Dallku 22'
Gjyqtar: Nikolai Ivanov
Suedia: Isakson, Nilson, Mellberg, Majstoroviç, Safari, Elm, Svenson, Kallstrom (Anderson 21'), Ibrahimoviç (Rosenberg 77'), Elmander (Berg 37'), S.Larson
Trajner: Lars Lagerbak
Shqipëria: Ujkani, Beqiri, Dallku, Cana, Curri, Haxhi (Hyka 22'), Bulku, Duro, Skela, Bogdani (Berisha 85'), Salihi (Kapllani 79')
Trajner: Josip Kuzhe

Mbrëmë

Portugali-Maltë            4-0
Nani 15', Simao 45', Miguel 52', Edinho 90'    
Danimarkë-Hungari            0-1
Buzasky 35'
Suedi-Shqipëri            4-1
Mellberg 6', 42, Berg 40', Svenson 86'/ Salihi 56'

Renditja
Ekipi        F    B    H    P
Danimarka    6    3    1    21
Portugalia    5    4    1    19
Suedia        5    3    2    18
Hungaria    5    1    4    16
Shqipëria    1    4    5    7
Malta        0    1    9    1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›