E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE: Progres me zgjedhjet dhe vizat, qeveria ka tendencë për kontroll ndaj gjyqësorit

 

BLEDAR HOTI

Shqipëria, megjithë reformat e bëra vazhdon ta ketë gotën gjysmë të mbushur në plotësimin e standardeve të BE-së. Ky është krahasimi i bërë nga kreu i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, në lidhje me progresin e bërë nga Shqipëria për vitin 2009, ashtu si një vit më parë, duke ndryshuar madhësinë e gotës.  “Këtë herë gota është ende gjysmë e plotë, por nuk është e njëjta gotë që ka qenë vjet. Gota është më e madhe këtë vit. Sepse Shqipëria ka aplikuar për anëtarësimin në BE, Shqipëria është anëtar i NATO-s. Prandaj ai vlerësim që do të jepja unë do të thosha po vazhdon gota të jetë gjysmë plot, por gota vazhdon të jetë më e madhe”, deklaroi Lohan. Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Lohan, pas paraqitjes zyrtare të raportit të BE-së mbi progresin e bërë në dy kopje të veçanta Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli, publikoi dje pasdite progresin dhe kushtet e pa plotësuara të Shqipërisë. Sipas raportit, “tabloja e përgjithshme e marrëdhënieve BE-Shqipëri është inkurajuese”.
Zgjedhjet
Komisioni Evropian për zgjedhjet e 28 qershorit ka mbajtur të njëjtin qëndrim me raportin final të OSBE-së dhe ODIHR. “Në raportin tonë është vënë re ajo që ka thënë organizata e OSBE-së dhe të ODIHR, se zgjedhjet parlamentare u vlerësuan në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo është më mirë se në vitet e shkuara, por ende ka mangësi. Partitë politike shqiptare duhet që të trajtojnë ose të adresojnë rekomandimet, ose konstatimet e vëzhguesve të ODHIR në zgjedhje në Parlament”, tha Lohan. Për sa i përket liberalizimit të vizave, Lohan theksoi, “Shqipëria ka ecur përpara në plotësimin e shumicës së standardeve për liberalizimin e vizave”. “Ka kohë që t’i plotësojë këto standarde në mesin e vitit 2010 në mënyrë që komisioni të marrë vlerësimin e tij”, tha Lohan. Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, një gjyqësor efikas dhe i pavarur, zbatimi në praktikë i ligjeve, rritja e kapacitetit zbatuese, transparenca e institucioneve, forcimi i institucioneve të pavarura, zgjidhja e çështjes së pronësisë, janë kushtet e BE-së për t’u plotësuar.
Bojkoti dhe reformat
Apeli i KE-së vazhdon të jetë plotësimi i reformave, duke vënë në dukje se ato nuk realizohen edhe pa prezencën e opozitës në Parlament. “Progresi i mëtejshëm drejt apo afër BE, kërkon edhe realizimin e reformave të mëdha, të mëtejshme. Për shembull do të jepja rastin e gjyqësorit, reforma në këtë sektor do të kërkonte një maxhorancë të cilësuar, të kualifikuar në Parlament. Pra pa pasur parasysh se si do të kemi këtë maxhorancë të kualifikuar në Parlament, pa pasur praninë e të gjithë deputetëve të zgjedhur në Parlament, është e vështirë për mua që të imagjinoj arritjen e këtyre reformave kaq madhore”, deklaroi Lohan. Ndërsa në takimet me kreun e PS-së, Edi Rama, kreu i KE-së në Tiranë nuk preferoi të jepte komente, por shtoi se nuk e luan rolin e negociatorit ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. “Nuk e besoj se politikanët shqiptarë kanë nevojë për të gjetur një ndërmjetës për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre, unë kam pasur dhe do të kem kontakte në të ardhmen me udhëheqësit politik të Shqipërisë dhe padyshim nuk do të mundem gjithmonë të shprehem për atë që kemi deklaruar”, theksoi Lohan. Për hetimin e çështjes Gërdeci, Lohan theksoi se “vonesat dhe zvarritja në këtë proces është diçka që duhet shmangur”. “Për çështjen e zotit Mediu, ka një imunitet të ri që lind nga mandati i tij, me ardhjen e tij në Parlament pas zgjedhjeve. Kryeministri ka deklaruar se ai do të jetë pro heqjes së imunitetit të zotit Mediu. Nëse do të bëhet një kërkesë e tillë sërish në Parlament. KE-ja do ta shikojë këtë ngjarje në qoftë kjo kërkesë ka për t’u bërë”, - tha Lohan.

Berisha: Jam dakord me raportin, e firmos atë

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do ta firmoste pa hezitim raportin e KE-së në lidhje me progresin e bërë nga Shqipëria gjatë vitit 2009, duke qenë plotësisht dakord me të. “Raporti vlerëson arritjet në të gjitha fushat, por evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të trajtohen. Nuk më vjen mirë që të citoj veten time, por do të përdor edhe një herë një frazë që e kam përdorur vjet përpara jush, se unë do ta firmosja atë plotësisht”, tha Berisha pas takimit me Lohan. Kreu i qeverisë u shpreh në prononcim për median se “e sigurova ambasadorin se ky raport do të jetë program pune për të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi”. “Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për faktin se ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme, në radhë të parë para qytetarëve shqiptarë, por edhe para partnerëve, miqve tanë dhe para Komisionit Evropian, siç ka qenë prova e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, raporti ka vlerësimin e tij më objektiv, sigurisht të bazuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet. Unë e garantova ambasadorin Lohan se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrën më serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare, për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor. Edhe një herë, theksoj se zgjedhjet kanë qenë një moment fondamental, por dhe një qëllim madhor i përpjekjeve të mia dhe të qeverisë”, tha Berisha. Ndërsa  Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në takim me Lohan, theksoi se “do ta shpërndajë raportin deputetëve, i cili do të jetë udhë rrëfyesi i tyre”. “Do doja të ndaj me ju, tha ambasadori Lohan, atë që komisionieri për zgjerimin Oli Rehn tha në konferencën e tij i pyetur për Shqipërinë se: “Shqipëria ka bërë reforma të mira”, tha Topalli.

BE: Ka progres për vizat

Adi Shkëmbi

Shqipëria ka bërë progres përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por ka ende probleme me korrupsionin dhe ndërhyrjet e ekzekutivit tek institucionet e pavarura. Komisioni Evropian ka publikuar dje Progres Raportin për vitin 2009, dokument që merr në analizë të gjitha fushat dhe veprimtarinë e institucioneve gjatë vitit të fundit. Në dokumentin me 53 faqe, vlerësim pozitiv i bëhet plotësimit të kushteve përsa i përket heqjes së vizave me Bashkimin Evropian. “Në kuadër të dialogut të liberalizimit të vizave, Shqipëria ka bërë përparim të mirë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara në plan”, thuhet në Progres Raport. Në kapitullin për Parlamentin vihet theksi te mungesa e dialogut politik mes forcave kryesore, i cili vlerësohet si i përkeqësuar para zgjedhjeve. Sipas dokumentit kjo pengoi në përparimin e reformave kyçe, një ndër të cilat është ajo gjyqësore. Sipas materialit dialogu politik, një përparësi kyçe për Partneritetin Evropian, ka nevojë të kthehet në rrugën e duhur. Në kapitullin “Qeveria” Komisioni Evropian kritikon tendencat e ekzekutivit për të ndërhyrë në institucionet e pavarura. “Marrëdhëniet midis institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë të vështira herë pas here. Një tendencë nga ekzekutivi që të ushtrojë kontroll mbi institucionet e pavarura, në veçanti në gjyqësor, ka ngritur shqetësime”, thekson dokumenti. Përsa i përket ligjit “Për Lustracionin”, Brukseli kritikon mënyrën se si u miratua në Parlament. “Konsultimi më i gjerë dhe me konsensus do të kishte qenë i përshtatshme para miratimit të ligjit. Zbatimi i ligjit të Lustracionit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe ligji është në shqyrtim”, thuhet më tej në dokument. Lidhur me sistemin gjyqësor, ashtu si edhe një vit më parë, në materialin e Komisionit Evropian zë vend edhe tragjedia e Gërdecit. Kështu Komisioni Raporton se përpjekjet e Qeverisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit kanë politizuar debatin për reformën në drejtësi dhe progresi është penguar. Megjithatë sipas Raportit “për të siguruar besueshmërinë në luftën kundër korrupsionit, është i nevojshëm një proces i drejtë dhe transparent që duhet të dënojë të gjithë personave përgjegjës, pavarësisht nga pozita e tyre”. Brukseli nxjerr në pah sërish problemet me korrupsionin, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë. “Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz”, thekson raporti. Sipas Komisionit lëvizja e punonjësve në administratën publike për shkak të bindjeve të tyre politike vazhdon ende megjithëse në një masë të vogël.

pikat kryesore te Progres Raportit 2009

Marrëdhëniet BE-Shqipëri
- Në kuadër të dialogut të liberalizimit të vizave, Shqipëria ka bërë përparim të mirë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara në plan.
- Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme veçanërisht në fushën e personalizimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike, të menaxhimit të kufirit dhe migracionit dhe strukturës institucionale për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Parlamenti
- Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u vlerësuan nga ODIHR, se përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, ndërsa nuk arritën plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.
- Kultura e dialogut mes partive kryesore politike është përkeqësuar para zgjedhjeve. Kjo pengoi përparimin e reformave në fushat kyçe, të tilla si gjyqësori.
- Zgjedhjet dominuan axhendën e Parlamentit. Kjo ka rezultuar në pak përparim në reformat kyçe në fusha si gjyqësori.
- Në disa raste procedurat e rekrutimit nuk janë respektuar. Kjo ka pasur efekte negative mbi cilësinë e stafit teknik.
Qeveria
- Marrëdhëniet midis institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë të vështira herë pas here. Një tendencë nga ekzekutivi që të ushtrojë kontroll mbi institucionet e pavarura, në veçanti në gjyqësor, ka ngritur shqetësime.
- Konsultimi më i gjerë dhe me konsensus për ligjin e Lustracionit do të kishte qenë veprimi i përshtatshëm para miratimit të ligjit.
- Në Ministrinë e Integrimit, ka pasur përparim në rritjen e kapaciteteve administrative dhe në mbushjen e vendeve të lira.
- Pak progres është bërë në zbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Kapaciteti për koordinimin ndër-ministror mbetet i dobët.
Administrata publike
- Pak përparim mund të raportohen në fushën e administratës publike. Kuadri ligjor është kryesisht në vend nëpërmjet ligjit të Shërbimit Civil, por zbatimi i tij mbetet problematik.
- Motivimet politike për qarkullimin publik të së punësuarve kanë vazhduar, ndonëse në një masë më të vogël. Rekrutimi në shërbimin civil vazhdon të bëhet përmes procedurave jo-transparente.
Sistemi gjyqësor
- Ka pasur pak progres në kompletimin e kornizës ligjore për reformën gjyqësore.
- Kapaciteti administrativ i KLD mbetet i dobët.
- Përpjekjet e qeverisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit kanë politizuar debatin për reformën në drejtësi dhe progresi është penguar.
- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka përfunduar hetimin e saj për shpërthimin në depon e municionit në Gërdec në vitin 2008. Gjyqi është shtyrë disa herë për arsye procedurale dhe Gjykata e Lartë vendosi në shtator të pezullojë rastin kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, në bazë të imunitetit të tij si anëtar i Parlamentit.
- Për të siguruar besueshmërinë në luftën kundër korrupsionit, është i nevojshëm një proces i drejtë dhe transparent, që duhet të dënojë të gjithë personave përgjegjës, pavarësisht nga pozita e tyre.
- Kompetencat e inspektorateve të KLD dhe atyre të Ministrisë së Drejtësisë mbeten për t’u sqaruar.
- Buxheti për gjyqësorin është rritur në 2009. Administrimi i Zyrës për buxhetin gjyqësor është përmirësuar. Megjithatë, financimi për gjyqësorin mbetet i pamjaftueshëm për të siguruar funksionimin e duhur të administratës së gjykatës.
- Në përgjithësi, reforma e gjyqësorit në Shqipëri mbetet në një fazë të hershme.
Shërbimet publike
- Progresi mund të raportohet në sektorin e arsimit.
- Në shumë fusha të tjera, përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin janë zvarritur në strategji fazë ose janë aplikuar vetëm në mënyrë selektive.
- Trajtimi transparent i rasteve të dyshimit të korrupsionit, pavarësisht nga pozita e personave të përfshirë, do të jetë tregues i rëndësishëm për pavarësinë e gjyqësorit.
- Më shumë politikë do të ishte e nevojshme për të shkulur kulturën e mosndëshkimit që vazhdon të mbizotërojë.

“Përkeqësimi i klimës politike vonoi reformat”
Gjatë prezantimit të raportit për progresin e vendeve ballkanike, Komisioneri i Zgjerimit Oli Ren tha se “këto shtete kanë njohur progres, por që përparimi nuk është i pakthyeshëm dhe se rreziku kryesor në rajon mbeten ato që i quaj fusha të minuara politike”. Zgjidhje e vetme është çminimi i tyre”, tha Rehn. Në raport thuhet se për shkak të zgjedhjeve, dialogu politik mes partive politike u përkeqësua, çka solli si pasojë vonesën në përparimin e zonave kyçe të reformave. “Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në prill të këtij viti. Komisioni Evropian është gati të përgatisë Opinionin e vet porsa Këshilli t’ia kërkojë këtë gjë. Zgjedhjet parlamentare përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit siç duhet i institucioneve shtetërore, mbeten sfida të mëdha”, thuhet në njoftimin për shtyp të KE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›