Kuzhe: Gabuam, u dhuruam ne fitoren suedezëve
Leonard Karaj
Për trajnerin ekombëtares shqiptare Josip Kuzhe nuk ishte Suedia ajo që fitoi ndaj Shqipërisë, por kjo e fundit që i dhuroi tre pikë vendasve.Josip Kuzhe ngre tonin duke kritikuar ashpër futbollistët e tij. Kroati thekson se Suedia do të mund ta fitonte ndeshjen pasi ishte favorite kryesore, por assesi në atë lloj mënyre. "Suedia e meritoi fitoren, por jo në këtë mënyrë si rrodhën ngjarjet, pasi ne gabuam shumë dhe i falëm kundërshtarit gola. Ata nuk bënë aq mjaftueshëm për të na mundur kaq thellë. Gjithsesi, goli i parë që pësuam mund të them se ishte disi aksidental, nga goditja standarte. Më pas e rimorëm veten dhe sikur ndryshuan diçka në fazën sulmuese. Ndërkohë, erdhi goli i dytë, i cili ishte një gabim nga ana e mbrojtësve tanë që duhej evituar me të gjithë mënyrat", ka pohuar trajneri kuqezi.
Më tej Kuzhe ka kritikuar lojën e skuadrës edhe në aspektin sulmues, ku në shumë raste ofensiva jonë nuk arrinte të kalonte as mesin e fushës, ose gabohej në pasimin e fundit. "Ishte një ndeshje që realisht duhet harruar sa më parë. Gabimet tona nuk ishin vetëm në mbrojtje teksa pësuam katër gola por edhe në repartet e tjera. Në mesfushë shpesh herë nuk arrinim të organizoheshim ose humbnim topat shumë shpejt. Ndërsa në sulm gabuam në pasimin e fundit. Nuk e parashikoja një humbje të tillë. Kisha përgatitur skuadrën për një ndeshje të vështirë por asesi për një goleadë. Ajo çka u reflektua në lojë nuk është absolutisht sipas meje fryt i golave të pësuar. Meritonim diçka më tepër nga kjo ndeshje e fundit e kualifikimeve", ka pohuar Kuzhe. Kroatit i është ofruar edhe rinovimi i kontratës me kombëtaren shqiptare nga presidenti Armand Duka. Sipas te gjitha gjasave ai do të jetë trajneri i kuqezinjve edhe për kualifikimet e EURO 2012. Ndërkohë që kombëtarja do të ketë rastin të luajë edhe një ndeshje miqësore në muajin nëntor për këtë vit, ndaj Estonisë. Aty Kuzhe do të etstojë disa nga lojtarët e rinj që mund të jenë pjesë e Kombëtares për kualifikimet e tjera.