E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poker i Palermos në miqësore, Dinamo dorëzohet pa kushte

Austri Blutë humbasin në miqësoren e parë të luksit dhe presin sfidat me Real Sociedad dhe Nacional

Dinamo është mposhtur me rezultatin 4-0 në miqësoren e luajtur dje në St. Veit të Austrisë me Palermon. Edhe pse ishte thjesht një ndeshje përgatitore, emri i kundërshtarit dhe fakti se ata ishin një prej skuadrave më të spikatura gjatë sezonit të kaluar në Serinë A, shërbyen si një stimul më shumë për blutë e drejtuar nga trajneri Luis Manuel Blanko. Gjithsesi, diferenca në fushën e lojës ishte e ndjeshme dhe në fund kampionët e Shqipërisë u dorëzuan pa kushte përballë “pokerit” të sicilianëve. Rrjetat për skuadrën e drejtuar nga Delio Rosi u shënuan nga Miljaço (2 gola), uruguaiani i ri Hernandez dhe Bovo.

Palermo ka dominuar prej fillimit, ndërsa pas 120 sekondave lojë ishte Noçerino ai që mund të kishte shënuar pas asistit të Makarones. Rezultati u zhbllokua në të 4-tën, me Miljaçon që devijon me kokë drejt rrjetës një harkim të Glik, ndërsa portieri Hidi nuk mund të bënte asgjë për të shmangur dizavantazhin. Më pas janë Pajtim Kasami dhe Makarone që shpërdorojnë shansin të dyfishojnë shifrat, ndërsa dinamovitët japin shenja jete në fundin e pjesës së parë, duke regjistruar rastin më të mirë të ndeshjes: goditja e dënimit e ekzekutuar nga Esteban Garsia përplaset drejtpërdrejtë në traversë. Fraksioni i dytë i lojës nis menjëherë me një shtyllë të Suçit për palermitanët. Në të 63-tën është Hernandez që realizon golin e dytë, ndërsa në të 77-tën Miljaço i ngre shifrat në 3-0. Tetë minuta përpara fundit të lojës është Bovo ai që shënon edhe golin e katërt. Në këtë miqësore, trajneri Luis Blanko aktivizoi lojtarët më të mirë (Bakaj, Pisha, Hidi, Vila, Malakarne, Muzaka apo Putinçiani), ndërsa bëri edhe shtatë zëvendësime. Tashmë Dinamo do të përgatitet për miqësoret e ardhshme me spanjollët e Real Sociedad dhe portugezët e Nacional.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›