E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mark Veber triumfon në Hungari

Në garën e 12-të sezonale në Hungaroring, australiani renditet përpara Alonsos dhe Fetel Piloti i Red Bull merr kryesimin e botërorit, pas tërheqjes së Hemilton

Mark Veber fiton çmimin e Madh të Hungarisë. Megjithatë, vendi i dytë i Fernando Alonsos përpara pilotit tjetër të Red Bull, Sebastian Fetel, vlen më tepër sesa një fitore për ferraristin. Kjo për faktin se Luis Hemilton është tërhequr nga gara, duke i dhënë mundësi pilotit spanjoll që të rikuperojë pikë shumë të rëndësishme në betejën për titull. Por edhe sepse gara në Hungaroring ishte një provë e luftës sportive, teknikës dhe përqendrimi nga dy herë kampioni i botës. Pavarësisht se makina F10 humbiste pothuajse një sekondë në çdo xhiro përballë Red Bull-it, Alonso tregoi klasin e tij: vetëm një pilot si spanjolli mund të ndërhynte në dominimin e “demave të kuq” dhe të mbante pas vetes të paktën njërën prej dy makinave. Fernando ia ka dalë mbanë, natyrisht edhe falë “dhuratës” nga gabimi i radhës së pilotëve të Horner, që në rastin konkret ishte Fetel. Gjermani kreu një manovër ngadalësuese në favor të shokut të skuadrës dhe u ndëshkua me një kalim nëpër bokse. 18 pikët e marra nga Ferrari mund të rezultojnë me peshë në fund të botërorit, por më parë skuadra “kokëkuqe” duhet të punojë që të ngushtojë diferencën nga Red Bull: Alonso nuk do të jetë gjithmonë në gjendje të bëjë mrekulli.

Në start, Fetel dhe Alonso u nisën mjaft mirë, ndërsa Veber dhe Masa u pozicionuan përpara Petrov e Hemilton, me këtë të fundit që e parakaloi menjëherë rusin. Fetel dhuroi spektakël, duke fituar thuajse 1 sekondë avantazh në xhiro ndaj Alonsos. Momenti më i nxehtë ndodhi në xhiron e 15-të, kur komisarët e pistës u detyruan të fusnin “safety car” për shkak të papastërtive në asfalt. Fetel ishte gati të kalonte vijën e bokseve, por i lajmëruar në momentin e fundit ai kaloi mbi vizat e bardha, për të përfituar të ndryshonte gomat. I vetmi që vazhdoi nga kryesuesit ishte Veber. Kur gara rifilloi normalisht, gjithçka dukej në favor të Alonsos: fillimisht Hemilton u tërhoq prej problemeve në paketën e marsheve, ndërsa më pas Fetel uli shpejtësinë, për të lejuar Veberin që të fitonte kohë për “pit-stop”-in. Një manovër që nuk kaloi pa u vënë re nga komisarët, të cilët e ndëshkuan me “drive through”. Edhe pse gjithçka dukej në favor të pilotit të Ferrarit, “ëndrra” u prish nga Veber, i cili ishte i papërmbajtshëm. Pas daljes nga bokset, australiani grumbulloi 23 sekonda avantazh në 26 xhiro. Me Veberin e pakapshëm, spanjolli i “kokëkuqes” ka vuajtur për afro 25 xhiro për të mbajtur pas vetes Fetel. Ai nuk bëri asnjë gabim dhe në fund u rendit i dyti përpara gjermanit. Në vendin e katërt u rendit piloti tjetër i Ferrarit, Masa. “Top 10” u plotësua nga Petrov, Hulkenberg, De La Rosa, Baton, Kobajashi dhe Barrikelo.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›