Tre në pranga për drogë dhe armë pa leje
Një operacion i befasishëm i Policisë së Tepelenës, ka vënë në pranga tre persona për armëmbajtje pa leje dhe posedim të 2.5 kilogramëve marijuanë. Operacioni i koduar “Bashkëpunimi” u zhvillua në fshatin Maricaj, pranë Memaliajit. Burimet zyrtare të Policisë së të Tepelenës bënë të ditur se kontributin kryesor për zbulimin e armëve dhe drogës e ka pasur komuniteti i fshatit që informoi për atë çfarë dihej dhe kishte në banesat e të arrestuarve. Nertil Guci, 26 vjeç, Baftjar Guci, 67 vjeç dhe Ervis Tringa, 23 vjeç u prangosën në orët e mbrëmjes së të hënës në fshatin e tyre. Kontrollet e ushtruara në disa prej banesave në fshat, rezultuan të sakta sidomos në banesën e Nertil Gucit ku u gjet marijuana. Në këtë shtëpi u gjet edhe një armë gjahu pa leje, ndërsa në banesën e Baftjar Gucit u gjet një kallashnikov me 20 fishekë. Fill pas këtij kontrolli, policia ka arrestuar në flagrancë rreth 500 metra larg banesës së tij edhe shtetasin Ersiv Tringa, i cili kishte me vete një pushkë dhjetëshe. Në banesën e këtij të fundit u gjetën edhe 230 fishekë pistolete të cilat u sekuestruan menjëherë.
#