E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pol Skols çon Mançesterin në finale

Mançester Junajtid është finalistja e parë e Ligës së Kampioneve, pasi arriti të eliminonte në gjysmëfinale Barcelonën falë golit të Pol Skols në minutën e 14-të të takimit. Ka qenë një sfidë e hapur, me dy skuadra që kërkonin fitoren, por në fund kanë triumfuar anglezët, të cilët kanë qenë shumë më të kujdesshëm në mbrojtje. Ferguson u detyrua të hidhte në fushë një formacion pa Runin dhe Vidiç, të dëmtuar në ndeshjen me Çelsin. Ndërsa Rajkard kundërpërgjigjet me një rreshtim 4-3-3, ashtu si në ndeshjen e parë me Eto‘o në qendër dhe Mesi me Iniestën që e mbështesin nga krahët. Ndeshja fillon me ritëm të ulët, pasi skuadra vendase e ka të vështirë të çajë mbrojtjen kundërshtare. Për të zgjidhur situatën mendon Pol Skols në minutën e 14-të, pasi lëshon një predhë perfekte nga jashtë zonës, e cila ndalet në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Valdez. Barcelona është në kaos dhe mendon vetëm të mbrohet, duke lënë vetëm Mesin të avancuar. Argjentinasi provon në minutën e 20-të të vendosë barazpeshën në shifra, por gjuajtja e tij devijohet nga Van Der Sar me një pritje spektakolare. Nga ana tjetër është Park që provon të shënojë golin e dytë, por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit. Megjithatë, katalanasit rikuperojnë terrenin e humbur dhe zhvendosin lojën në gjysmëfushën e Mançesterit, duke provuar me Deko dhe Eto‘o të gjejnë golin e barazimit. Por Van Der Sar arrin të mbrojë portën me ndërhyrje vendimtare, duke bërë që skuadra e tij të shkojë në pushimin e ndeshjes me avantazhin e një goli. Me rikthimin e skuadrave në fushë, janë katalanasit që kanë iniciativën, por rastet e para janë në portën e Barcelonës, me Nanin dhe Kristiano Ronaldon që krijojnë panik në mbrojtjen kundërshtare me depërtime nga krahët. Në minutën e 57-të, Tevez shfaqet i vetëm para Valdez, por gjuajtja e tij qendrore grushtohet nga portieri i Barcelonës, ndërsa më pas është mbrojtja që largon rrezikun. Rajkard provon kartën Henri, duke larguar Iniestën, për të kërkuar më shumë agresivitet në repartin e avancuar. Duke parë që asgjë nuk ndryshon në lojën e skuadrës, holandezi vendos të aktivizojë të riun Bojan në vend të Eto‘o, në hije gjatë gjithë pjesës së dytë. Kundërpërgjigjja taktike e Ferguson vjen në minutën e 77-të, duke larguar Skols e Nani, për të aktivizuar Gigs dhe Fletçer, në mënyrë që të siguronte forca të freskëta në mesfushë. "Djajtë e kuq" kthehen në mbrojtje, duke u përpjekur të mbrohen në minutat e fundit të ndeshjes. Henri provon dy herë të gjejë rrugën e rrjetës, por pa sukses, ndërsa minutat e fundit zhvillohen në gjysmëfushën e Mançester Junajtid. Por anglezët arrijnë të rezistojnë duke ruajtur fitoren minimale që i çon në finalen e Moskës, ku do të jenë përballë një tjetër skuadre angleze.

Liga e Kampioneve

Dje

Man Utd-Barcelona 1-0

Skols 14‘

Sot

Çelsi-Liverpul



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›