E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: “Olimpiakos ble një lojtar 25 mln euro, buxheti ynë 500 mijë”



Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, deklaroi gjatë konferencës për shtyp për mediat greke se fituesit e Kupës së Shqipërisë kanë ardhur në Greqi për të fituar përvojë pas humbjes 5-0 me Olimpiakosin në ndeshjen e parë në Tiranë dhe përmbysja dhe kualifikimi mund të ndodhë vetëm në ëndërr. Besa do të përballet në ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës kundër skuadrës më të famshme në historinë e futbollit grek, Olimpiakosin, dhe trajneri Duro e di forcën e kundërshtarit helen, që është duke zhvilluar një merkato të fuqishme duke rekrutuar disa nga lojtarët më të mirë në qarkullim në Europë, ku i fundit ishte spanjoll Riera. “Humbja 5-0 në ndeshjen e parë, - citohet Duro nga mediat greke, - është e vështirë ta bëjë interesante takimin e kthimit. Olimpiakos është një nga ekipet më të mëdha në Greqi, por edhe në Europë. Jemi me fat që do të përfitojmë ndonjë përvojë nga kjo ndeshje”. “Rezultati në Tiranë tregoi se do të jetë një vit shumë i vështirë për ne, pasi na kanë ikur disa lojtarë të mirë. Nuk ka nevojë të themi më shumë. Olimpiakos pranon të blejë Rierën 25 milionë euro, ndërkohë që ne kemi buxhet vetëm 500 mijë euro”, - tha trajneri i Besës, Shpëtim Duro. Në lidhje me kundërshtarin e mundshëm të Olimpiakosit, Duro tha: “Makabi është një skuadër e mirë, por Olimpiakos është akoma më i mirë dhe besoj se do ta kalojë”. Nga lojtarët e Besës, foli kapiteni Artion Poçi: “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne përballë një kundërshtari kaq të vështirë. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën tonë dhe të mos lejojmë një rezultat të rëndë më atë të ndeshjes së parë”. Në takimin e parë, ishte spanjolli Oskar Gonzales çeli serinë e golave të Olimpiakosit në minutën e 19-të, përpara se 27-vjeçari të dyfishojë sërish në minutën e 31-të e mbyllur pjesën e parë 2-0. Braziliani Alexandro Silva de Sousa, i njohur shkurt si Dudu, shënoi pa kaluar dy minuta nga fillimi i pjesë së parë duke mposhtur portierin Orges Shehi për herë të tretë. Sulmuesi brazilian Diogo në minutën e 70-të realizoi golin e katërt për ekipin grek. I njëjti lojtar shënoi dhe golin e pestë (84’) për formacionin e drejtuar nga gjermani Evald Lienen. Besa konfirmoi dje sulmuesin boshnjak 27-vjeçar Sead Haxhibuliç, i cili në Shqipëri ka luajtur me Apoloninë dhe Vllazninë. Te Besa janë edhe dy lojtarë të tjerë boshnjakë, Edin Ferizoviç dhe Semir Haxhibuliç. Sulmi kavajas tani kompletohet me Sead Haxhibuliçin, brazilianin Markos Dos Santos dhe talentin Sokol Cikalleshi. Skuadra e Besës ndodhet në Athinë, ku të enjten do të zhvillojë ndeshjen kundër Olimpiakosit të Pireut (20:30). Kavajasit janë akomoduar në hotel “Novotel”.

Olaf Melberg kundër Besës

Te Olimpiakosi më shumë po i thurin lavde blerjes së re, spanjollit Albert Riera të ardhur nga Liverpuli, se sa t’i kushtojnë ndonjë vëmendje të posaçme takimit kundër Besës së Kavajës për ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Europës. Argumenti është i qartë: në ndeshjen e parë të zhvilluar para një jave në “Qemal Stafa”, Olimpiakosi i Pireut fitoi 5-0, duke e shndërruar i në një shëtitje ballafaqimin në kryeqytetin shqiptar. Sipas “Goalday.gr”, Olimpiakos pritet të ketë kundër Besës edhe Olaf Melbergun, ndërkohë që të tjerë do të luajnë Nikopolidhis, Pardo, Galitsios, Raul Bravo, Holebas, Modesto, dudu, Oskar, Papadhopulos, Mareska, Zairi, Epstain, Fetfasidhis, Mitroglu, Diogo, Darbisair, Miralas. “Kuqebardhët” grekë e kanë të sigurt kualifikimin dhe me shumë mendojnë për skaudrën kundërshtare të raundit të tretë, që do të dalë nga takimi Makabi Tel-Aviv (Izrael) me skaudrën malazeze, Mogren (2-0 takimi i parë për izraelitët).

Riera te Olimpiakos
Gazetat greke online e japin të sigurt kalimin e Albert Riera nga Liverpuli te Olimpiakos. Behet fjalë për transferimin më të shtrenjtë për futbollin grek. Për asin spanjoll Olimpiakos do të derdhë 16 milionë euro, ndërsa vetë lojtari do të marrë 2 milionë euro në vit.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›