E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poli flet për të dashurën: Eh, janë gjëra që...ndodhin

Poli me Dorinën ndodhen në kuzhinë, ku ajo e pyet Polin mbi të dashurën që ka lënë jashtë. Ajo e pyet nëse lidhja e tij ishte e fortë dhe si ata kishin biseduar mbi hyrjen e Polit në "Big Brother". Por Poli i përgjigjet se kishin një vit e gjysmë bashkë dhe se asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë, por gjërat ndodhin. Dorina thotë se është e rëndësishme që gjërat të ndodhin me dëshirën e mirë. Ajo e pyet nëse ja vlen më shumë historia e dashurisë që Poli pati brenda shtëpisë dhe ai pohon. Gjithashtu ai shton se po nuk qe i sigurt për një gjë, nuk i hyn, dhe mbi këtë çështje ai është i sigurt, megjithatë gjërat duhen menduar mirë para se të nisen.

Dhëndri i ëndrrave

Ndërsa janë duke gatuar drekën, tre banorët janë bërë muhabetçinj dhe ngacmohen. Jonida i thotë Arbrit se ai është dhëndri i ëndrrave për çdo familje shqiptare. Arbri i thotë se në rastin që thotë Jonida, vajza në fjalë nuk pyetet fare. Jonida i thotë se jo domosdoshmërish duhet t‘i pëlqejë edhe vajzës, por për prindërit e vajzës është i përkryer. Astriti qesh e bën batutën: "I mirë, shumë i mirë... Në fund fare, pleqtë në azil". Astritin e bën shumë për të qeshur batuta e vet. Arbri qesh me Astritin, por i thotë se kjo batutë ishte kot fare.

Surpriza për Olsin

Arbri po vret mendjen se çfarë t‘i bëjnë Olsit për ditëlindje. Ai e gjen Najadën në dhomë, ndërsa po zgjohet dhe i propozon t‘i bëjnë ndonjë lojë Olsit ditën e ditëlindjes. Najada jep me shaka disa ide të çmendura, të tipit: e lidhim te krevati dhe i hedhim qumësht të nxehtë. Arbri qesh dhe i thotë se është dakord ta lidhin te krevati dhe kur të zgjohet të jetë i lidhur. Pastaj mendojnë edhe disa variante të tjera lojërash, por nuk bien dakord. Ata do të marrin edhe mendimin e të tjerëve. Më vonë ata mendojnë për diçka që ka të bëjë me muzikën, e ndoshta me këngëtarin Lenny Kravitz, që është këngëtari i preferuar i Olsit. Ndërkohë, në kopsht Olsi me Dorinën po bisedojnë pikërisht për ditëlindjen e tij, më 15 maj dhe Dorina i thotë se edhe e motra ka ditëlindjen po nesër, si ai.

Festa pas "Big Brother"

Një nga bisedat që u pëlqen më shumë të bëjnë është festa pasi të mbarojë BB. Jonida i ngacmon duke thënë se të gjithë që do bëjnë gëzuar, do ta bëjnë sa për hipokrizi. Najada thotë se deri diku është normale të kesh inat, nëse del dhe të tjerët që s‘të pëlqejnë mbeten deri në fund. Najada thotë se ajo nuk do të ketë shoqëri të mëtejshme me njerëzit që s‘i kanë pëlqyer brenda BB-së, madje edhe tek ajo festa do të rrinë njëri nga një cep e tjetri nga cepi tjetër. Poli ngacmon Olsin duke i thënë se kush e di sa femra do të ketë aty që do të duan t‘i njohin, por Olsi ia pret se tani që është i lidhur, është i bllokuar në atë aspekt. Ata bëjnë një mori batutash sesi mund t‘u shpëtojnë njerëzve antipatikë në një festë.

Paragjykimi

Poli, Olsi e Najada flasin për paragjykimet që mund të kenë lindur mbi ta gjatë kohës që kanë qenë në transmetim. Ata thonë se nuk e kanë idenë se çfarë mund të ketë ndodhur jashtë, por shprehen se në tipologjinë e emisionit dhe vetë karakteret e tyre, asgjë nuk ka për t‘u paragjykuar si e keqe. Ata kanë jetuar normalisht, por shprehen se gjithsesi e dinë që njerëzit do t‘i quajnë me lloj-lloj emrash. Olsi thotë se edhe atij vetë që nuk i pëlqen të jetë pre e paragjykimeve, nëse sheh dikë në televizor që bën edhe sendet më normale, do t‘i vinte për ta sharë. Ata përmendin rastin e Edi Ramës, duke thënë se ekstravaganca e tij dhe mënyra sesi i ka bërë gjërat thotë shumë për lirinë me të cilën e jeton jetën. Atyre u pëlqen figura e Ramës në publik dhe moskokëçarja ndaj opinionistëve me mentalitet të mbyllur, por pranojnë se ai has në shumë paragjykime lidhur me karakterin e tij dhe jetën që ka bërë. Nga ana tjetër, ata shprehen se nuk janë të përfshirë në politikë, madje as nuk kanë votuar për ndonjë nga politikanët shqiptarë, që u duket sikur nuk u interesojnë fatet e Shqipërisë. Ata mendojnë se politikës shqiptarë i duhet frymë e re dhe njerëz të rinj, që janë aq të fortë sa të krijojnë rrugën e tyre.

Lenny Kravitz, koncert në BBA

Është ideja e Arbrit për ditëlindjen e Olsit. Ai ka bërë gati një skenë dhe dekorimet që do të vendosen në vendin në shtëpi ku do të improvizohet koncerti. Ai shpreson të ketë bashkëpunëtor Vëllain e Madh, që do të lëshojë muzikë nga regjia, ndërsa dikush prej tyre do të imitojë këngëtarin e famshëm. Ai ia thotë Jonidës planin, ndërsa Olsi me Najadën dhe Polin janë në kopsht. Jonida i thotë se Olsi zgjohet herët në mëngjes dhe do ta marrë vesh, por Arbri e siguron se tani që nuk është Big-u, Olsi do të jetë në gjumë në mëngjes.

Najada, fotomodele

Najada kur ka qenë ende pa tatuazhe dhe tepër e dobët, ka punuar si fotomodele. Ajo thotë se ka sfiluar disa herë, por e bënte thjesht për qejfin e vet. Najada, Poli dhe Olsi mendojnë se kjo është një nga punët më të lehta dhe më me shumë para në botë. Najada thotë se pas ca kohësh që e bënte këtë punë, pati disa probleme që e bënë ta ndërpresë këtë aktivitet.

Kujtime

Olsi, Dorina dhe Poli kanë dalë në kopsht dhe kujtojnë me nostalgji çastet gazmore që kanë kaluar brenda shtëpisë së "Big Brother". Ata përmendin të gjithë banorët që tashmë janë larguar, duke kujtuar se çfarë batutash kanë thënë. Ata përmendin Besartën dhe se sa kanë hequr për ta kuptuar atë në fillim. Ndërsa Olsi tregon për Junën dhe të fortat me Julindën. Ndërkohë, në bisedë kanë hyrë edhe Najada me Astritin dhe të gjithë bashkë kujtojnë ditët kur pinin verë. Ata kujtojnë Rominën kur dehej, Julindën që pinte dhe qeshte dhe gjithë të tjerët me radhë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›