E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-ja lëshon alarmin: Ciklon i ri në Birmani

Ndërsa luftojnë për mbijetesë, pa ushqime, pa ujë të pijshëm dhe pa ndihmë mjekësore që të mbërrijë deri te ta, dy milionë birmanezët e mbetur të pastrehë si pasojë e tërbimit të ciklonit Nargis, mund të përballen me një tjetër katastrofë. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një ciklon i ri po krijohet mbi Birmani dhe mund të përplaset mbi këtë vend brenda 24 orësh. Qendra e paralajmërimit të tajfuneve, me seli në Havai, ka bërë të ditur se stuhia po krijohet pikërisht mbi kryeqytetin e Birmanisë që përbën edhe një qendër nevralgjike për të gjitha ekipet e huaja të ndihmës të bllokuar nga junta. Gjithsesi, një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara ka nënvizuar se parashikimi nuk garanton një valë të dytë shkatërrimi, por kërcënimi është i tmerrshëm. Armata ndërkombëtare e punonjësve të ndihmave që pret për leje hyrjeje në Bangkok, thotë se ata druajnë për një kolaps total të përpjekjeve ekzistuese në deltën e lumit Irravadi, ku shkatërrimi ka qenë më i madh, në rast se një tjetër stuhi do të përplaset mbi të. Edhe pse kjo deltë ofron burime jetësore uji të pijshëm në këto momente, shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë mbi Birmani gjatë ditëve të shkuara, ka krijuar kaos në akset e brishta të komunikacionit. Koordinatorët e ndihmave që punojnë jashtë kufijve rreptësisht të mbikëqyrur të Birmanisë, thonë se ata nuk kanë mundur të kontaktojnë me kolegët që gjenden në Rangun. Ndërkohë, kampet provizore, që janë edhe e vetmja shpresë për dhjetëra e mijëra njerëz, janë të rrezikuara nga shirat që nuk reshtin, ndërsa një stuhi e dytë, e fuqishme, do të ishte shkatërrimtare. Në fakt, bëhet fjalë për një operacion jashtëzakonisht të vështirë ndihmash, me probleme të panumërta logjistike që duhen kapërcyer dhe një stuhi tjetër do të shkaktonte një katastrofë të re. Qeveritë e huaja vazhdojnë të bëjnë presion mbi autoritetet birmaneze për të lejuar të huajt që të hyjnë në vend dhe të ndihmojnë në administrimin e ndihmave që aktualisht po menaxhohen në mënyrë aspak efikase nga ushtria. E në një lëshim të vogël kundrejt presionit në rritje, Birmania ka rënë dakord që të marrë pjesë në një takim të Organizatës së vendeve të Azisë Juglindore. Ministri i Jashtëm tajlandez ka thënë ndërkohë se aftësia e kësaj organizate për të ndërmjetësuar një marrëveshje me Birmaninë është një test i peshës së saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›