Jo më boçe opiumi nëpër ara, tani leverdis më shumë gruri
Çmimi është trefishuar, nga 157 në 500 dollarë për tonë, ndërsa ai i heroinës është në rënie të shpejtë kudo. Më shumë se sa programet dhe fushatat e Kombeve të Bashkuara, më shumë se ndërhyrjet e ushtrisë për rrënimin e fushave të pafundme me opium, është vetë tregu global që do të frenojë, për të parën herë në shumë vite, përhapjen vdekjeprurëse të boçeve me ngjyrë të kuqe, në Afganistan. Për të qenë më të saktë, tregu i drithërave, çmimet e të cilave gjatë muajve të fundit janë ngritur në qiell, ka provokuar edhe revolta, destabilitet, kundërshti politike e madje edhe shumë uri në të gjithë botën. Por, Afganistani është një botë më vetë. Për shtetin që në 2007-n ka prodhuar 93 për qind të opiumit të globit (8400 tonë, thuajse dy herë më shumë se sa kërkesa globale) drithi i shtrenjtë po rezulton të ketë efekte pozitive. Nëse deri vitin e shkuar një fushë e kultivuar me boçe opiumi siguronte tetë herë më shumë para se një arë e mbjellë me drithë, sot pozicionet po ndërrohen. Kjo për shkak se çmimi i grurit është trefishuar ndërsa ai i heroinës po njeh rënie të shpejtë kudo. "Mesatarisht, ka deklaruar disa ditë më parë ministri i Bujqësisë i Afganistanit, sot, një hektar me boçe siguron 800 dollarë, ndërsa një hektar me grurë, 350 dollarë. Por, kjo mospërputhje fitimesh mund të reduktohet në zero me rritjen e prodhimit, me më shumë të korra e me më shumë programe mbështetëse". Diçka po ndryshon, pretendon Tekeste Tekie, përgjegjës i Organizatës Botërore të Bujqësisë, FAO, në Kabul: "Efektet e kësaj situate të re të krijuar janë tani të dukshme", ka thënë, "Në provincën Bamijan, për shembull, disa kultivues kanë filluar të rezervojnë gjysmën e tokës së tyre për grurin dhe pjesën tjetër për opiumin". Por, realiteti nuk është kaq i thjeshtë. E nëse Tekie uron që spostimi i opiumit nga gruri të kontribuojë edhe në zgjidhjen e krizës së ushqimit në Afganistan, ku 70 për qind e popullatës sot vuan nga uria apo kequshqimi", pengesat për t‘u kapërcyer janë të shumta. Vetë qeveria e Kabulit ka pohuar se "mund të parashikohet deri në 30 për qind rritje të tokave të kultivuara me drithë në provincat si Kunduzi apo Banghlami, por në ato të dominuara nga talebanët, njerëzit kanë frikë të braktisin kultivimin e opiumit". Kështu, pak do të ndryshojë në Helmand, provincën që siguron edhe pjesën më të madhe të opiumit, plot 53 për qind të totalit afgan apo gjysmën e atij global. Rënia e çmimit të opiumit dhe heroinës gjithsesi, ka gjetur këto kohët e fundit edhe një zëvendësues tjetër efikas, kanabisin. Në dukje, kanabisi sjell më pak fitime se opiumi, por kostoja e prodhimit është më pak dhe njeh vetëm rritje çmimi në tregjet botërore. Pa harruar që një plan i vërtetë për të zhvilluar bujqësinë afgane nuk është vënë ende në jetë. Për të kaluar pa probleme nga opiumi te drithërat, në shkallë kombëtare, nevojiten më shumë planifikime, infrastruktura, kapitale që deri më tani kanë shkuar tjetër kund. E kështu, ndërsa Irani, (vend fqinj dhe që konsiderohet nga OKB-ja ndër vendet më serioze në luftën antidrogë) akuzonte NATO-n dhe Karzain se nuk po bënin asgjë kundër opiumit afgan, shpresat sot janë mbështetur te tregu botëror i lëndëve të para. Çmimi i drithërave gjithnjë i lartë, i shoqëruar ndoshta edhe nga një efekt tjetër jo fort i pëlqyeshëm i globalizimit, ngrohja e planetit, ka dëmtuar seriozisht boçet afgane, kjo edhe për shkak të ngricave të pazakonta dhe shirave të tejzgjatura.