E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton e para në Virxhinian Perëndimore

Kandidatja demokrate për president, Hillari Klinton, u zotua sërish se do të vazhdojë betejën për të siguruar emërimin e partisë së saj për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Senatorja Klinton e bëri këtë premtim pas një fitoreje me shumicë dërmuese votash, megjithatë simbolike, ndaj rivalit të saj Barak Obama, në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore. Klinton u tha përkrahësve në kryeqytetin e shtetit, Çarlston, se ajo është më e vendosur se kurrë më parë për të vazhduar fushatën në zgjedhjet e mbetura paraprake në 5 shtete amerikane. Ekspertët thonë se edhe me këtë fitore vendimtare në Virxhinian Perëndimore, senatorja Klinton nuk do të ndikojë te vrulli që ka marrë senatori Obama për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate. Por ekipi zgjedhor i Hillari Klinton shpreson që fitorja e djeshme do të bindë superdelegatët se ajo është kandidatja më e mirë. Superdelegatët janë zyrtarë partiakë dhe zyrtarë të zgjedhur, të cilët janë të lirë të votojnë për secilin nga kandidatët në konventën e partisë në muajin gusht. Mbështetja e tyre është vendimtare, sepse asnjëri prej dy kandidatëve nuk pritet të fitojë emërimin e partisë pa mbështetjen e superdelegatëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›