Berisha: Nuk jemi prekur nga kriza, masat që kemi marrë më parë, po i merr bota tani
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se ekonomia shqiptare nuk është prekur nga kriza ekonomike botërore dhe se vendi ynë ndjehet me fat për këtë gjë. “Ekonomia jonë nuk ka pasur një komponent të fuqishëm financiar. Në tërësi ajo ka qenë 70% ekonomi reale dhe 30% financiare. Por tensioni botëror na imponon që edhe ne të ndjekim disa trende: rritja e investimeve, rritja e pagave dhe pensioneve dhe ulja e taksave, që ne e kemi”, - tha kryeministri. Investimet, pagat dhe uljen e taksave kryeministri i cilësoi si masa të shkëlqyera që i shërbejnë përballimit të çdo krize ekonomike dhe se vendet që janë prekur nga kriza në fakt masa të ngjashme janë duke marrë.
“Në qoftë se na thuhet se cilat janë masat antikrizë që ne marrim, - u shpreh kryeministri, - mendoj se ne jemi në rrugë të shkëlqyer në kuptimin e taksave, të tjerët po i ulin, ndërsa ne i kemi të ulëta dhe po i ulim prapë. Ne kemi politikën e rritjes së pagave më të mirë se kushdo tjetër për proporcionet tona. Ne i kemi investimet 32% të buxhetit, të cilat do t’i ruajmë. Ne mund të kishim dëshirë të ishim me suficit, mund të kishim dëshirë të ishim me deficit 1%, por kushtet e reja të krijuara nga një krizë që ka përfshirë ekonomitë e mëdha na imponojnë të jemi të kujdesshëm dhe do të bëhet një kombinim midis Hajek-ut dhe Kejns-it. Kejns nuk vjen dot tërësisht, por edhe nuk u zhduk. Këto tri drejtime duhet t’i keni parasysh në këtë buxhet. Ne jemi një vend që do të ndërtojë infrastrukturën, ndaj ky nuk është një koncept abuziv. Po ashtu, e kam deklaruar dhe e deklaroj se, sa të jem në qeveri, shqiptarët do të kenë rritje pagash e pensionesh. Rritja e pagave është një kombinim i inkurajimit të ofertës dhe kërkesës. Më së shumti kjo do të jetë edhe dalja nga kriza e vendeve të tjera.”