Drejtësia të nxjerrë në shesh të vërtetën për makinën e Bazes
Pse bllokohet çështja e djegies së makinës të gazetarit Mero Baze? Njësoj siç bëhen përpjekje për të penguar hetimet për Gërdecin, për korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, ashtu siç u fsheh dhe nuk gjendet trupi i Remzi Hoxhës, siç u përmbyll në kohë rekord hetimi dhe përfundimi për vdekjen e Trebickës? Mos vallë ne shqiptarët duhet të mësohemi me vdekjen dhe krimin si për diçka normale dhe të mos na bëjë përshtypje? Kanë kaluar veçse pak ditë nga sulmi shantazhist ndaj gazetarit Baze dhe organet e drejtësisë duket se e fjetën mendjen dhe i vunë kapak çështjes me të ashtuquajturin shkak të shkëndijës elektrike. Qeveria duket gjithashtu se e fjeti mendjen dhe se është mjaft e kënaqur që edhe ky rast i rëndë, i ndodhur gjatë mandatit të saj, si shumë raste të ngjashme, ka gjasa të arkivohet. Por shoqëria shqiptare nuk i ka mbyllur sytë. Ajo ka reaguar dhe po reagon çdo ditë nëpërmjet deklaratave, shqetësimeve të ngritura vazhdimisht, që janë shqetësime në rritje paralel me rritjen e ngjarjeve të tilla të rënda, për fat të keq, në Shqipëri. Gjatë këtij mandati qeverisës, dëshmitarët kryesorë të ngjarjeve tragjike apo korruptive zhduken apo vriten në rrethana jo krejtësisht të qarta, ashtu siç u dogj në rrethana krejtësisht të dyshimta dhe makina e gazetarit Mero Baze, ashtu si janë të dyshimta dhe të papranueshme presionet ndaj familjareve të tij, sipas dëshmive që shkruan vetë ai. Është detyrë e shtetit shqiptar të mbrojë dëshmitarët, është detyrë e shtetit të mbrojë gazetarët dhe fjalën e lirë, veçanërisht ata përfaqësues të medies, si gazetari në fjalë, që janë të njohur për qëndrimet e tyre kritike ndaj aferave korruptive apo keqadministrimit qeverisës. Do të ishte në nderin e qeverisë të hidhte dritë mbi të vërtetën e djegies së makinës, duke dhënë një shembull simbolik të vullnetit dhe vendosmërisë së saj në mbrojtje të fjalës së lirë, por kjo padyshim është vetëm një utopi. Ashtu si gjithë opinioni mbarëshqiptar, edhe PSD e dënon ashpër këtë atentat ndaj fjalës së lirë dhe i bën thirrje drejtësisë të nxjerrë sa më parë të vërtetën në shesh. PSD mbështet thellësisht shqetësimin e ngritur edhe nga shoqatat e gazetarëve, mbi injorimin dhe cinizmin e kryeministrit dhe qeverisë së tij rreth kësaj çështjeje. PSD bashkohet me thirrjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për hetime të gjithanshme, ku të përfshihen të gjitha versionet e mundshme dhe të mos mbeten në konkluzionet e parakohshme, në të kundërt krimi i organizuar do të marrë dhe do të shtojë presionin mbi politikën e mbi medien. Ne rikujtojmë se gazetarët dhe media në përgjithësi në Shqipëri e kanë paguar me çmim të shtrenjtë kurajën dhe këmbënguljen për të hapur fjalën dhe mendimin e lirë dhe për të forcuar demokracinë. Nuk do të dëshironim që vendi ynë të shndërrohej në një arenë kryqëzimesh dhe gjuetie shtrigash për këdo që nuk pranon të bjerë pre e presioneve dhe shantazheve të krimit dhe të politikës së lidhur me të. Nuk dëshirojmë që fëmijët tanë të shohin nga dritaret se si digjen makinat e prindërve të tyre dhe t’u ngulet në shpirt dyshimi se kjo ndodh për shkak të detyrës si gazetar.