Poliçan, banorët me gastro-enterit të rëndë
Tiranë- Analizat përfundimtare të kryera pas shpërthimit të epidemisë në Poliçan tregojnë se banorët janë prekur nga gastro-enterit i rëndë, që është shkaktuar nga uji i pijshëm.
Të dhënat u bënë publike nga drejtori i Shëndetit Publik në ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, i cili pranoi se nga hetimi epidemiologjik dhe analizat e kryera rezulton se pacientët nga Poliçani nuk janë prekur nga një dizanteri klasike, por nga gastro-enterit i rëndë.
Sipas tij, nisuar nga analizat mikrobiologjike, mbi bazë të mostrave të marra nga pacientët, si nga specialistët e ISHP-së ashtu dhe ata të spitalit të Beratit, u identifikua prania e Shigella Flexner Tp 3 në 80 për qind të mostrave. “Kjo është dëshmi e qartë e agjentit shkaktar", tha Bejtja.
Ai sqaroi se nga hetimi epidemiologjik rezulton se mundësitë më të mëdha janë për një shpërthim të shigelozës me natyrë hidrike, ku vektor ka qenë ujësjellësi i Poliçanit.
Problem mbetet fakti i transmetimit nga njeriu tek njeriu.
Aktualisht është rritur numri i monitorimeve, çdo ditë në 6 pika të ujësjellësit, si dhe është bashkëpunuar me mediat lokale për të dhënë këshilla sanitare për publikun.
Pas bllokimit të ujësjellësit për 12 orë, të enjten dhe të premten, tashmë është rekomanduar të mos konsumohet uji i pijshëm deri në një vendim të dytë.
Epidemia që shpërtheu ditë më parë, preku rreth 100 persona, të cilët u shtruan në spitalin e Poliçanit, duke e bërë të papërballueshme situatën nga mjekët. Për këtë në ndihmë të tyre mbërritën mjekë nga Berati.