E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i Gjuhë-Letërsisë, 7 ditë kohë për ankesat

Tiranë- Maturantët e pakënaqur me vlerësimin e provimit të Gjuhë-Letërsisë kanë 7 ditë kohë për të bërë ankesën e tyre pranë Komisionit të Maturës.

Afati parashikohet në rregulloren e Maturës Shtetërore, sipas të cilës maturantët që kanë paqënaqësi pas njohjes së rezultatit kanë të drejtë të tërheqin një kopje të testit të vlerësuar nga mësuesit.

"Çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar me rezultatet përkatëse të vlerësimit”- thuhet në rregullore.

Për këtë, brenda 7 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit të Maturës një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit në sekretarinë e shkollës, thuhet në rregulloren e provimeve.

Sipas rregullores, menjëherë pas grumbullimit të të gjitha kërkesave, ankesat e bëra shqyrtohen nga komisioni i maturës të ngritur pranë shkollave të mesme dhe më pas dërgohen për në drejtoritë arsimore të vendit, së bashku me një mandat-arkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të qendrës në të cilën është bërë vlerësimi i provimeve.

Ndërsa Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pasi merr kërkesat në shqyrtim, dërgon pranë shkollave fotokopjet e testeve të kërkuesve

Rezultatet e provimit të parë të maturës shtetërore u afishuan dje në shkollat përkatëse në gjithë vendin, ku sipas të dhënave, me notë maksimale ishin vlerësuar vetëm 3800 maturantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›