E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi kërkon shtimin e masave të sigurisë

Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë për të parandaluar tensionimin e mundshëm të gjendjes gjatë fundjavës, kur pritet të themelohet Kuvendi Serb i Kosovës.

Formimi i Paramentit paralel serb në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të serbëve të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e fundit në Serbi, do të bëhet më 28 qershor, në përvjetorin e Betejës së Kosovës.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, zoti Rexhepi paralajmëroi mundësinë e tensionimit të gjendjes në veri pasi sipas tij, pritet që në Kosovë të hyjnë një fluks i madh i njerëzve nga Serbia.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës kërkoi nga organet e Sigurisë që të shtunën të kontrollojnë dhe të legjitimojnë çdo qytetar që hyn nga Serbia në Kosovë përmes dy vendkalimeve kufitare në veri.

Bajram Rexhepi e ka quajtur ilegal Kuvendin e serbëve të Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve serbe, por t'i injorojnë ato.

Policia ka njoftuar se do të ketë shtim të masave të sigurisë me rastin e shënimit të Betejës së Kosoëvs dhe formimit të Kuvendit Serb më 28 qershor.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani tha se do të ketë masa shtesë "me qëllim që të krijohen kushte për të gjithë ata të cilët do të vijnë në Kosovë për të festuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›