E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në fshatrat e Tiranës,pacientët mjekohen me ilaçe të skaduara

Autori i Lajmit: red.
Gjatë pasdites nuk ofrohej shërbimi shëndetësor dhe nuk kishte një qendër urgjence. Banorët e zonave shprehën shqetësim për mënyrën e organizimit të shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, banorët e zonës së Babrrusë u ankuan për mosrespektimin e orarit zyrtar të punës nga ana e mjekëve, për vonesat dhe sorollatjet e shumta.

“Një problem i konstatuar në këtë zonë janë pasaktësitë në dokumentacionin e fëmijëve si ndryshime në seksin e fëmijës, datën e lindjes dhe në dhënien e lejës të banimit të familjarëve të tyre. Sipas informacioneve të marra nga personeli shëndetësor, një numër i konsiderueshëm lindjesh janë të paregjistruara në gjendjen civile, pasi nënat e tyre janë nën 18 vjeç. Kjo gjë ndikon në mosofrimin e shërbimit shëndetësor ndaj kësaj pjese të popullatës”

Një raport i Komitetit Shqiptar të Helsinkit zbulon skandalin e shërbimit mjekësor në periferi të Tiranës. Referuar raportit në fjalë, në Babrru dhe Bathore pacientët mjekohen me medikamente të skaduara. “Në pikën shëndetësore pranë Kafes së Rremës një pjesë e konsiderueshme e mjekimeve të urgjencës ishin të skaduara prej disa vitesh”, thuhet në monitorimin që KSHH ka bërë në pikat shëndetësore të zonave periferike të kryeqytetit. Bluzat e bardha përveçse ofrojnë shërbim të kufizuar mjekësor deri në më pak se tetë orë në ditë, e shfrytëzojnë orarin zyrtar edhe për të punuar në klinika private. Skandali nuk përfundon me kaq, pasi edhe gratë shtatzëna detyrohen të paguajnë ato shërbime mjekësore që duhet t i marrin falas. Ndërkohë që nuk ka mjaftueshëm as kartela shëndetësore për një numër të madh pacientësh. Mungesa e një mjeku pediatër shihet qartë, pasi një mjek kujdeset për 10 mijë fëmijë, ndërkohë që në stafin e infermierëve nuk mungojnë ata me shkollë të mesme. Problemet e mësipërme janë bërë të ditura nëpërmjet një studimi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili ka kontrolluar gjendjen e shërbimit mjekësor në periferi të kryeqytetit. “Në kuadër të misionit të tij për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka nisur monitorimin e respektimit të të drejtave të shtetasve në disa institucione shëndetësore të shërbimit parësor, spitale psikiatrike, shtëpi fëmijësh dhe disa spitale rajonale. Gjatë muajit janar 2008, KShH monitoroi shërbimin shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë”, shpjegohet në raport.
Infrastruktura
Infrastruktura e qendrave shëndetësore, në përgjithësi, paraqitej e mirë. Shërbimet shëndetësore ishin vendosur në godina të reja, kushtet higjieno-sanitare ishin të mira, me përjashtim të një qendre shëndetësore në zonën e Bathores, në të cilën nuk ekzistonin as mjetet më minimale si: krevatë për vizita, tavolinë pune, kartotekë, çarçafë, etj.
Mungesë energjie dhe uji
Gjatë periudhës së vëzhgimit në qendrat shëndetësore kishte mungesa të theksuara të energjisë elektrike që vazhdonte nga disa orë në ditë ose dhe gjithë ditën. Qendra shëndetësore në zonën e Kafes së Rremës prej 5 vjetësh ishte pa drita. Mungesa e energjisë elektrike ndikon në ruajtjen në ambiente frigoferike të vaksinave dhe vështirëson kryerjen e vizitave mjekësore për të sëmurët, sidomos fëmijëve dhe grave shtatëzëna, pasi ambientet ishin të ftohta. Si rezultat i kushteve, mjekët në qendrën shëndetësore në Bathore nuk ishin veshur me uniformën e tyre. Në disa prej qendrave shëndetësore të monitoruara mungonte furnizimi me ujë ose në ato qendra që kishte ujë, ai nuk ishte i pijshëm.
Kartelat
Në qendrat shëndetësore në Bathore ka mungesa në pajisjen me kartoteka për sistemimin e kartelave të banorëve. Mungesa në të dy zonat ka gjithashtu dhe në pajisjen me ambulancë, linjë telefonike, karrige në korridore për pacientët, krevatë të rregullt, çarçafë, ose dhe pajisje të tjera të nevojshme për zhvillimin e vizitave të grave dhe të fëmijëve.
Shërbim i limituar
Shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë ishte i kufizuar në kohë. Të gjitha qendrat shëndetësore punonin deri në orën 1440 dhe 1 orë mbasdite për kryerjen e injeksioneve. Gjatë pasdites nuk ofrohej shërbimi shëndetësor dhe nuk kishte një qendër urgjence. Banorët e zonave shprehën shqetësim për mënyrën e organizimit të shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, banorët e zonës së Babrrusë u ankuan për mosrespektimin e orarit zyrtar të punës nga ana e mjekëve, për vonesat dhe sorollatjet e shumta.
Dypunësimi i mjekëve
Në disa raste, vëzhguesit e KSHH-së evidentuan se mjekët nuk ishin në ambjentet e punës gjatë orarit zyrtar, madje kishte pika shendetësore si ajo në zonën e quajtur Kafja e Rremës, e cila ishte e mbyllur. KShH mori ankesa nga banorët se disa mjekë sidomos në zonën e Babrrusë punojnë në klinikat private gjatë orarit zyrtar. Pretendime gjithashtu janë shprehur dhe për disa raste korruptive kur qytetarët janë detyruar të paguajnë për të marrë shërbimin shëndetësor. Një problem tjetër i evidentuar ishte çështja e dypunësimit të mjekëve në klinikat private të hapura në zonën e Bathores dhe të Babrrusë për të cilat KShH u rekomandon institucioneve përkatëse të bëjnë verifikimet nëse ato janë ose jo të lincencuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Mungon laboratori
Në të gjithë zonën e Bathores dhe të Babrrusë nuk ka një laborator shtetëror për kryerjen e analizave më të thjeshta si: urinë e gjak dhe një aparat për bërjen e Echo-ve duke cënuar të drejtën e pacientëve për të përfituar shërbim shëndetësor parësor. Pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, banorët ishin të detyruar që analiza të thjeshta t i bënin me para në klinikat private të hapura në këto zona.
Gratë shtatzëna
Një problem i konstatuar gjatë monitorimeve është se gratë shtatëzëna nuk përfitojnë falas mjekimin profilaktik si: vitamina, fluor, acid folik e kalcium. Duke mbajtur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të shumë familjeve në këtë zonë, blerja e këtyre medikamenteve neglizhohet nga ana e grave shtatzëna dhe si pasojë fëmijët e tyre lindin hypotrof. Sa më sipër, KShH u ka rekomanduar institucioneve shtetërore përgjegjëse që vitaminizimi dhe shtesat ushqimore të grave shtatëzëna të bëhen falas dhe të futen në listën e ilaçeve me rimbursim. Gjithashtu, një pjesë e grave shtatzëna në këto zona nuk ishin të pajisura me libreza shëndetësore, gjë që ndikon në moskryerjen e vizitave për gjendjen e tyre mjekësore dhe në moszbulimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe të sëmundjeve të tjera.
Planifikimi familjar
Lidhur me planifikimin familjar nuk punohet në mënyrë efektive në zonat e monitoruara. “Nga takimet e zhvilluara mësuam se ai konsiston vetëm në dhënien e këshillimeve kur kjo gjë kërkohej nga vetë pacienti dhe konsistonte në ofrimin e kontraceptivëve falas, megjithëse edhe këta të fundit në Babrru mungonin”, thuhet në raportin e KSHH. Planifikimi familjar është i domosdoshëm për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe nëse mbajmë parasysh faktin se pjesa më e madhe e banorëve të Bathores dhe të Babrrusë vijnë nga zona veriore dhe kanë mungesë informacioni.
Lindjet prematurë
Për zonën e Bathores problem janë lindjet premature, sidomos tek nënat e reja si rezultat i ushqyerjes jo të mirë gjatë shtatzënisë. Një problem i konstatuar në këtë zonë janë pasaktësitë në dokumentacionin e fëmijëve si ndryshime në seksin e fëmijës, datën e lindjes dhe në dhënien e lejës të banimit të familjarëve të tyre. Sipas informacioneve të marra nga personeli shëndetësor një numër i konsiderueshëm lindjesh janë të parregjistruara në gjendjen civile, pasi nënat e tyre janë nën 18 vjeç. Kjo gjë ndikon në mosofrimin e shërbimit shëndetësor ndaj kësaj pjese të popullatës.
Vaksinimi dhe rimbursimi
Vaksinimi i fëmijëve paraqiste problem në këto zona për shkak të shkallës së ulët të sensibilizimit të banorëve. Personeli shëndetësor dhe banorë të këtyre zonave, u ankuan se lista e barnave me rimbursim është shumë e kufizuar. Për të pasur efekt në shërimin e sëmundjeve të tyre, banorët janë të detyruar të marrin mjekime, të cilat janë jashtë listës së rimbursimeve dhe duhet t i blejnë vetë. Si rezultat, kufizimet ligjore të vendosura në listën e barnave ndikojnë në cenimin e së drejtës së individëve për të marrë mjekimin efikas.
Ilaçe të skaduaraa
Një numër i konsiderueshëm i banorëve të zonës së Bathores dhe të Babrrusë ishin të pasiguruar e të papajisur me librezë shëndetësore. Duke vlerësuar gjendjen e vështirë ekonomike të banorëve, mjekët detyroheshin t i vizitonin ata, edhe pse në mungesë të pagesës për këtë shërbim. Kjo ndikon në mospasqyrimin e punës së mjekëve të familjes, por nga ana tjetër kjo procedurë mund të jetë burim korrupsioni. “Mjekimet e shërbimit të urgjencës në Babrru mbaheshin nga infermieret në çantat e tyre personale. Në pikën shëndetësore pranë Kafes së Rremës një pjesë e konsiderueshme e mjekimeve të urgjencës ishin të skaduara prej disa vitesh”, theksohet në raport.
Mungon pediatri
Pavarësisht numrit të madh të banorëve dhe të grave shtatzëna, në Bathore mungon pozicioni i një mamie patronazhi, e cila do të ndihmonte në ndjekjen mjekësore të tyre. Në gjithë zonën e Babrrusë punonte vetëm 1 mjek për gati 10.000 fëmijë. Gjithashtu, në të gjithë zonën e Bathores dhe të Babrrusë mungonte pozicioni i mjekut pediatër pavarësisht numrit të madh të fëmijëve. Mjeku pediatër është i nevojshëm për të siguruar një shërbim sa më cilësor dhe profesional për ndjekjen mjekësore të fëmijëve në këto zona.
Infermiere me gjimnaz
Një tjetër konstatim ishte se personeli i mesëm shëndetësor ishte i pakët në numër në raport me numrin e pacientëve. Si rrjedhojë, ato nuk mund të kryenin të gjitha detyrat e caktuara ligjore. Gjithashtu, kapacitetet profesionale të personelit shëndetësor, sidomos personelit të mesëm, lënë shumë për të dëshiruar. Një numër i konsiderueshëm i infermierëve në këto zona kishin vetëm arsimin e mesëm mjekësor.
Sensibilizimi i banorëve
Ndërgjegjësimi i popullatës së këtyre zonave për çështje të ndryshme shëndetësore, të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore, parandalimin e sëmundjeve të ndryshme është në nivele të ulëta. Këtu ndikojnë faktorë të ndryshëm, të tillë si gjendja e vështirë ekonomike e banorëve, problemet e shumta me të cilat ata hasen, mentaliteti i tyre etj. Gjithashtu, njohja e rolit të institucioneve të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të tyre është e ulët. Funksioni i Urdhrit të Mjekut si një instancë shtetërore që ka si mision të tijin ruajtjen e standardeve të larta në ushtrimin e profesioneve mjekësore dhe mbrojtjen e pacientëve dhe publikut në përgjithësi nga kequshtrimi i mjekësisë, ishte pothuajse i panjohur nga ana e banorëve të këtyre zonave.
Reforma shëndetësore
Reforma për shërbimin parësor ndeshet me probleme të ndryshme. Nga takimet me punonjës të këtij shërbimi, rezulton se personeli shëndetësor nuk është pjesë e procesit të reformave dhe përthithja dhe vlerësimi i opinioneve të tyre nuk bëhet në mënyrë institucionale. Në vazhdim, KShH po monitoron shkeljet e konstatuara dhe do të vërë në dijeni institucionet përkatëse. Kjo iniciativë e KShH realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura më sipër janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›