Viti 2010, Bashkia e Tiranës: Sa do të jenë taksat për banorët dhe bizneset
Bashkia e Tiranës zbardh në shifra se sa do të jenë taksat për banorët dhe bizneset e kryeqytetit gjatë vitit 2010. Taksat vendore kanë pësuar një rritje të madhe për vitin aktual. Rritja, e miratuar që në shkurt të vitit 2008, ka arritur kulmin për këtë vit. Kështu, taksa e gjelbër arrin në vlerën 500 lekë, e pastrimit 5 mijë lekë, ndërsa ajo e biznesit të vogël do të rritet në bazë të xhiros vjetore. Vlerat monetare që duhet të paguajnë qytetarët janë shumë të larta, po të kemi parasysh se në momentin e miratimit taksat vendore kanë qenë rreth dy herë më të ulëta.
Taksat
Banorët e kryeqytetit për vitin 2010 do të paguajnë 500 lekë për taksën e gjelbër. Ndërsa përsa i përket taksës së pastrimit, sipas paketës fiskale të miratuar që në vitin 2008, e cila do të jetë e vlefshme edhe për këtë vit, banorët e Tiranës duhet të paguajnë plot 5 mijë lekë të reja. Vlerat e mësipërme të taksave janë të vlefshme vetëm për familjarët. Ndërsa për bizneset, taksat do të jenë disa herë më të larta. Kështu për bizneset e shitjes me pakicë që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, është vendosur që të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është më e ulëta, pasi për bizneset që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, taksa vjetore shkon në 143 mijë lekë në vit. Rritje ka pësuar edhe taksa e tabelës, që vendoset nga bizneset për qëllime reklamimi. Konkretisht kjo taksë është bërë 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për veten ose për të tretët. Paketa fiskale ka arritur që të favorizojë vetëm biznese si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit (shkollat, kopshtet apo çerdhet), shërbimet në klinikat e specialiteteve të ndryshme mjekësore dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Afatet
Afati i fundit për pagesën e këstit të parë të taksave vendore është data 20 prill, afati për këstin e dytë është 30 qershori, ndërsa afati për këstin e tretë është data 20 tetor. Sipas Bashkisë së Tiranës, në rast pagese të plotë të taksës brenda datës 20 prill, bizneset përfitojnë një ulje prej 10 për qind të detyrimit total. Në të kundërt, në rast të mosrespektimit të afateve, biznesi gjobitet me 25 për qind të vlerës së taksës. Kështu, qytetarët duhet të bëjnë të pamundurën për t’i paguar këto detyrime vendore, pasi në të kundërtën do të penalizohen. Në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor, për shkak të mungesës së adresës, ose adresës së gabuar, qytetarët janë njoftuar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, duke filluar nga data 10 prill. Taksa e biznesit të vogël është një detyrim vjetor, i cili është përllogaritur në mbështetje të deklaratës së xhiros së bërë nga vetë biznesi. Ajo e ka vlerën rreth 11400 lekë dhe ndahet në 4 këste të barabarta. Kësti i parë paguhet deri më 20 prill, i dyti deri më 20 korrik, i treti deri më 20 tetor dhe i fundit deri më 20 janar të vitit të ardhshëm. Taksa e ndërtesës ndahet në dy këste të barabarta. I pari paguhet deri më 20 prill, ndërsa i dyti deri më 30 qershor. Sipas Bashkisë së Tiranës, në rast pagese të plotë brenda datës 20 prill, bizneset përfitojnë një ulje prej 10 për qind të detyrimit total. Taksa e tabelës paguhet gjithashtu deri më datë 20 prill. Tabelat me sipërfaqe mbi 4 m2 do të llogariten si tabela reklamuese, të cilat kanë një tarifë më të lartë se tabelat e zakonshme. Edhe taksat e tjera, përgjithësisht e kanë afatin e fundit më 20 prill. Në rastet e mosrespektimit të afateve, biznesi gjobitet me 25 për qind të vlerës së taksës.
Plani strategjik i taksave, ndryshimet që parashikon Bashkia e Tiranës
Bashkia e Tiranës parashikon një rritje tarifave dhe të taksave që duhet të paguajnë qytetarët apo bizneset. Strategjia e Bashkisë synon rifreskimin e të dhënave si dhe rishikimin e bazës për taksat dhe tarifat. Duke parashikuar të ardhura të pandryshuara nga vitet e shkuara prej buxhetit të shtetit, kjo bashki synon rritjen e taksave, duke e përshtatur me nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ndërsa ekspertët parashikojnë një shtrirje më të madhe të bazës së tatimpaguesve apo dhe mirëmenaxhimi i vjeljes së taksave vendore. Kështu, thuajse në të gjitha pikat e buxhetit afatmesëm, ku Bashkia shprehet për taksat, është vendosur rishikimi i bazës së të dhënave, duke sjellë dhe analizimin e mangësive. Më pas do të veprohet me vjeljen e tarifës së tatimeve. Konkretisht, në të 10 taksat dhe tarifat me të cilat operon Bashkia e Tiranës, parashikohet një rritje mesatare prej 8 për qind e tarifës dhe e të ardhurave. Për sa i përket taksës mbi pasurinë, do të ketë një rritje prej 10 për qind të të ardhurave. Ndërsa për vitin 2011, kjo taksë pritet të rritet dhe me 6 për qind. Kjo do të arrihet si me rifreskimin e bazës së të dhënave të taksave, ashtu dhe duke marrë parasysh funksionimin normal të KRRT-së dhe realizimin e projekteve të Bashkisë. Për sa i përket biznesit të vogël, taksa do të vijojë të paguhet me 4 këste të barabarta ndërsa në vitin e ardhshëm pritet rritja me 20 për qind dhe në dy vitet që pasojnë taksa pritet të shtohet me 5%. “Për taksën e biznesit të vogël është supozuar që baza e taksës do të rritet me një dinamikë vjetore të njëjtë me atë të GDP-së gjatë periudhës së parashikuar si rrjedhim i shkurtimit të procedurave tatimore dhe administrative në regjistrim. Vlera e taksës do të rritet mesatarisht me 20 për qind në vitin 2010 dhe me 8 për qind në vitet në vijim. Në rastin e vjeljes së taksës është supozuar se vlera do të rritet me një dinamikë prej 5 % në çdo vit”,- thuhet në projektin e paraqitur mbi të ardhurat. Të ardhurat pritet të shtohen dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ku presupozohet një funksionim më i mirë i KRRT-së, duke zhbllokuar lejet e ndërtimit. Po ashtu, në projektbuxhet Bashkia parashikon rritjen e të ardhurave nga pastrimi i mbeturinave, tarifa e parkimit si dhe nga tarifat e kopshtit. Kështu, veç rishikimit të të dhënave të banorëve do të ketë rritje të nivelit të tarifave me 5 për qind dhe po kështu do të veprohet dhe me rritjen e shkallës së vjeljes së kësaj tarife. Ndërsa parashikimi për tarifën e parkimit pritet të mos ndryshojë, por parashikohet shtimi i vendparkimeve me pagesë të Bashkisë.
Strehimi, 398 banesa do të ndërtohen brenda vitit 2010
Në programin e strehimit përfshihet projekti për ndërtimin e 398 ndërtesave me qëllim social, financimi i të cilave është realizuar nëpërmjet kredisë së përfituar nga Banka e Këshillit të Evropës me shumën e 6 347 000 euro. Gjatë vitit 2009 ka nisur puna për ndërtimin e banesave sociale, të cilat parashikohet të përfundojnë në vitin 2010. Në shpenzimet e këtij programi është parashikuar pagesa e kostos lokale, e cila është detyrim i Bashkisë së Tiranës. Në strategjinë afatmesme të Bashkisë së Tiranës parashikohet propozimi i një programi alternativ të vlerësimit të familjeve që aplikojnë për strehim social. Ku projekt është titulluar “Bonusi i qirave” dhe pritet ti kalojë për miratim këshillit bashkiak. Në të do të trajtohen të pastrehët veçanërisht familjet në vështirësi ekonomike. Në vit pritet të trajtohen nga 100-200 të pastrehë. Për këtë do të propozohet një sistem pikëzimi, i cili do të vlerësojë dhe kategorizimet e përfituesve për të pastrehët. Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar 4005 të pastrehë. Për këtë arsye do të propozohet dhe një program 10-vjeçar për strehimin. Strategjia e strehimit është e ndarë në tri faza, ku do të jetë plani afatshkurtër; plani afatmesëm dhe plani afatgjatë.
5 Shkurt 2010