Kina reagon ashpër ndaj SHBA-ve për tregtinë
Kina i ka hedhur poshtë kërcënimet nga presidenti amerikan Barak Obama se do të ndërmarrë një linjë të ashpër për të siguruar që tregu kinez është i hapur për eksportet amerikane. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin, Ma Zhaoxu, i hodhi poshtë akuzat e zotit Obama që niveli i kursit të këmbimit me monedhat e huaja jepte një avantazh jo të drejtë ndaj dollarit. Ditën e mërkurë zoti Obama tha se do të vendoste një presion të vazhdueshëm mbi Kinën dhe vendet e tjera që të respektonin anën e tyre të marrëveshjeve tregtare. Pekini iu kundërpërgjigj Uashingtonit duke thënë se akuza me të padrejtë dhe presioni nuk mund ta zgjidhnin problemin. Sektorët ku ka pakënaqësi përshijnë monedhën kineze dhe shitjen e armëve Tajvanit. Përsa i takon monedhës kineze, Ministria e Jashtme kineze këmbënguli që juani, ishte i vlerësuar në nivelin e duhur me gjithë akuzat amerikane se është e kundërta. Zëdhënësi përsëriti kërcënimin e Pekinit për të vendosur sanksione të paspecifikuara mbi firmat amerikane që i shesin armë Tajvanit. Ky është një kërcënim që ka disa ditë që është bërë. Ky është shqetësim në mënyrë të veçantë për kompaninë amerikane Boeing, që i shet armë Tajvanit, dhe për të cilën Kina është tregu më i madh ndërkombëtar. Presidenti Obama foli për presion ndaj Kinës për marrëveshjet. Uashingtoni thotë se kjo ndodh pjesërisht, sepse Kina e ka mbajtur në mënyrë artificiale të dobët monedhën e saj, duke i bërë produktet e saj më të lira jashtë vendit.
5 Shkurt 2010