Përgjigjet e vonuara, ish-të përndjekurit duhet të paraqiten në Ministri
Ish-të përndjekurit, që u është vonuar përgjigjja nga Ministria e Drejtësisë, duhet të paraqiten në dikaster për të mësuar mbi fatin e dosjes. Ministria e Drejtësisë, në vijim të procesit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, i ka dërguar njoftimet për plotësim dokumentesh dhe kërkesat për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare. Por, një pjesë e këtyre njoftimeve, Posta e ka kthyer sërish në Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë personat se duhet të paraqiten në Zyrën e Pritjes së Publikut për të tërhequr zarfet me njoftimet përkatëse. Ndërkohë mbaron afati për të depozituar kërkesat për dëmshpërblim në Ministrinë e Drejtësisë.
Kërkesa
Interesimi mbi fazën ku ndodhet dosja ndikon edhe për përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë shpjegojnë se janë çdo ditë për të pritur të përndjekurit që kanë paqartësi apo nuk kanë informacionin e duhur për plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit. Ndërsa ata që janë ende në fazat fillestare duhet të dinë se paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga Ministria. Çdo ish-i dënuar politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me formularin ku shënohet numri i dokumenteve të dorëzuara, data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj.
Dosjet
Procesi i shqyrtimit të dosjeve për dëmshpërblim ka veçuar në një anë më shumë se gjysmën e dosjeve në total që janë regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë. Specialistët që po shqyrtojnë këto dosje, që në fazën e parë të verifikimit kanë konstatuar dokumentet që mungojnë, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për të plotësuar dosjen, por kanë vlerë edhe për përllogaritjen e viteve të burgut dhe numrit të përfituesve që mund të jenë në një rast të vetëm. Si procedurë, specialisti që konstaton këtë mungesë dokumentesh vendos menjëherë shënim në dosje “Mangësi në dokumentacion” dhe rinis një procedurë tjetër të komunikimit nëpërmjet postës me aplikuesin. Këto dosje që kanë një shënim të tillë rezultojnë se u mungon një ose më shumë dokumente që janë përcaktuar në Nenin 20 të ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Në këtë nen janë përcaktuar të gjitha dokumentet që i duhen një aplikuesi për të përfituar dëmshpërblim. Nëse mungon qoftë edhe një prej dokumenteve, procedura e shqyrtimit të kërkesës pezullohet derisa dokumenti të përfshihet në dosje.
Shqyrtimi
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm, për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues, që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi, që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indicjet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë:
Kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënim penal politik, ai evidenton, në një formular të posaçëm, llojin dhe, sipas rastit, kohën e vuajtjes së dënimit, gjithsej, të cilin ia bashkëlidh dosjes. Dosja i përcillet për shqyrtim të bashkërenduar organeve të tjera shtetërore, për të parë nëse çështjet janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin për dëmshpërblim. Kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike, ai evidenton llojin dhe, sipas rastit, kohën e saktë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, politik dhe jopolitik, në një formular të veçantë, që i bashkëlidhet dosjes. Kur provohet se kërkuesi, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, ka kryer veprime me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë, i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në ligjin për dëmshpërblim. Në rastet kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënime jopolitike, i propozon ministrit ta klasifikojë atë si të pabazuar për të përfituar në këtë proces.
Informacioni
Kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. Brenda 5 ditëve, Ministria e Drejtësisë e kualifikon kërkesën në një nga rastet e mësipërme.
Hetimi për dosjet e dorëzuara për dëmshpërblim
Struktura përgjegjëse në ministri, brenda 35 ditëve, shqyrton në themel të gjitha kërkesat që, pas shqyrtimit paraprak, janë kualifikuar se plotësojnë kërkesat. Brenda afatit, struktura përgjegjëse në ministri verifikon dokumentacionin,harton relacionin përkatës dhe i propozon ministrit pranimin e kërkesës si të bazuar në ligj ose mospranimin e saj. Kur propozohet pranimi i kërkesës, akti i propozimit, i nënshkruar nga punonjësi përgjegjës, përmban edhe periudhën e saktë, në ditë, muaj dhe vite të dënimit të kryer, si dhe masën në lekë të dëmshpërblimit, që do t'i jepet, sipas ligjit. Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të propozimit të strukturës përgjegjëse, urdhëron pranimin apo refuzimin e saj, kur kërkesa nuk mbështetet në ligj. Aktet nënligjore të Ministrit të Drejtësisë shpallen edhe në faqen zyrtare të ministrisë.
5 Shkurt 2010