BE-ja merr komandën e Greqisë, shkak kriza ekonomike
Blerina Olldashi
Bashkimi Europian merr komandën e Greqisë, çka nënkupton se qeverisë së këtij vendi, de facto po i hiqet nga dora pushteti. Ky veprim vlen pas miratimit të planit të paraqitur nga Greqia për daljen nga kriza ekonomike si dhe kërkesën e BE-së për të verifikuar shifrat e prezantuara. Kryeministri Jorgos Papandreu dhe ministri grek i Financave tashmë janë të vetëdijshëm se ky hap kufizon sferën individuale të veprimit. Papandreu iu drejtua popullit të tij nga Parlamenti, duke i sqaruar se si do të veprojë në të ardhmen BE-ja në lidhje me Greqinë: “Për fat të keq Greqia është sot nën vëzhgim. Ne kemi arritur një pikë, në të cilën kemi humbur pjesë të rëndësishme të sovranitetit kombëtar. Por, ne kemi edhe tregjet ndërkombëtare, që luajnë me fatin tonë. Parakusht që të çlirohemi prej gjendjes së krijuar është që të rivendosim gjendjen në rregull”. 24 orë përpara seancës vendimtare të ministrave të Financave të BE-së, Athinës iu desh ta përmirësonte edhe një herë katalogun e masave të kursimit. Kjo sepse kontrollorët ishin të mendimit se këto masa nuk ishin të mjaftueshme. Pas përmirësimeve të paraqitura nga qeveria greke, komisari i BE-së për monedhën e përbashkët, Joakuin Almunia shprehet të paktën për fillimin i kënaqur: “Ne do ta mbështesim programin grek të kursimeve. Ne kemi besim te qeveria dhe do ta mbështesim atë në përpjekjet e saj. Njëkohësisht ne e dimë se zbatimi i këtij programi nuk do të jetë i lehtë. Pas shkurtimeve në radhët e administratës publike dhe uljes së pensioneve, qeveria greke deklaroi se do të ngrejë taksat për cigaret dhe alkoolin, për të mbushur në këtë mënyrë arkat e shtetit. Të gjitha këto masa ndërmerren, sepse deri në vitin 2012 Greqia duhet të përmbushë kriteret e paktit të stabilitetit të euros. Kjo do të thotë se borxhi i ri i shtetit duhet që nga rreth 13 për qind vitin e kaluar, të bjerë në 3 për qind të rendimentit ekonomik të vendit. Por, Brukseli nuk do t’ia dijë për mëshirë, përkundrazi: “Sa herë të konstatojmë se Greqia nuk po respekton rrugën për të cilën kemi rënë dakord apo nuk vë në jetë sipas parashikimeve hapa të caktuar, apo në se do të konstatojmë vonesa, atëhërë do të kërkojmë prej qeverisë greke masa të reja” - tha komisari i BE-së, Joakuin Almunia. Pas raportimit të parë në mes të muajit mars, Greqisë do t’i duhet të raportojë çdo tre muaj në Bruksel. Kjo do të thotë mbikëqyrje e fortë dhe është hera e parë që Brukseli merr një masë mbikëqyrjeje të tillë. Amlunia sqaroi se shkak për këtë janë bërë mashtrimet dhe marifetet e Greqisë që kanë zgjatur rreth 11 vjet.
Sindikatat nisin grevat kundër planeve të qeverisë
Menjëherë pas masave të marra nga qeveria greke për taksa dhe reduktime pagash, kanë reaguar unionet sindikale. Ato kanë paralajmëruar se do të zhvillohen greva të përgjithshme gjatë këtij muaji. Nëpunës të taksave janë mbledhur para Ministrisë së Financave në një grevë 2 ditore kundër masave të qeverisë Papandreu. Greva ka mbyllur të gjitha zyrat e taksave në vend. Mjaft protestues bënin thirrje se ky plan nuk duhet të miratohet, dhe nuk është populli ai që paguan për krizën. Qeveria njoftoi një sërë masash përfshi dhe reduktimin e pagave suplementare. Demonstratat e zhurmshme janë një kërcënim për planin 3-vjeçar të reduktimit të deficitit buxhetor dhe borxheve publike, të njoftuar nga Papandreu. Kjo rrezikon dhe mbështetjen në publik, që deri tani ishte pozitive për kryeministrin grek. Sindikatat më të mëdha kanë thirrur greva masive këtë muaj. Analistët thonë se euro është kërcënuar më shumë se kurrë, ndërsa vendet e BE nuk duan të nxjerrin para nga xhepi për të ndihmuar Athinën.
5 Shkurt 2010