Specialistët përcaktojnë skemën si do të përllogaritet dëmshpërblimi
Zbardhet skema se si do të përllogaritet dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politikë. Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave, Entin Kombëtar të Banesave dhe Zyrën qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, të gjithë të dënuarve politikë që kanë përfituar dëmshpërblime nga ligje të mëparshme, shuma e përfituar do t’u zbritet në dëmshpërblimin e tanishëm, që pritet të shpërndahet për secilin. Përfitimet do të llogariten edhe nëse janë marrë në formën e lekëve, letrave me vlerë apo në formën e pasurisë së paluajtshme. Vendimi ka përcaktuar se do të ketë dy formularë për ata që kanë përfituar në lekë dhe në letra me vlerë, si dhe për ata që kanë përfituar në pasuri të paluajtshme. Ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre, që pretendojnë të përfitojnë dëmshpërblim, duhet ta plotësojnë formularin me të dhëna të sakta, pasi rrezikojnë të përballen me ligjin për të dhëna të rreme. Madje jo vetëm kaq, por vendimi ka përcaktuar që ish-i dënuari humbet çdo të drejtë për të përfituar dëmshpërblim nëse deklaron të dhëna të rreme. Vendimi ka përcaktuar rregulloren për përfituesit që ndodhen brenda dhe jashtë vendit. Për ata që ndodhen brenda vendit ka përcaktuar si institucion për formularët e vetëdeklarimit Postën Shqiptare, ndërsa për përfituesit që janë jashtë vendit do të komunikohet nëpërmjet shërbimit konsullor në shtetin ku ndodhen.
Skema
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim, do të bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar si vijon: në rastin e përfitimit pasuror, në të holla dhe letra me vlerë. Çdo kërkues, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet në të holla ose letra me vlerë, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i vetëdeklarimit i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, i dërgon Ministrisë së Financave një kopje të formularit të plotësuar dhe i kërkon të verifikojë përfitimet në të holla dhe letra me vlerë, të ish-të dënuarit politik nga ligjet e mëparshme. Ministria e Financave, pasi verifikon përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat e ish-Bankës së Kursimeve (aktualisht Raiffeisen Bank), i dërgon Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen zyrtare për masën që do të zbritet nga dëmshpërblimi brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Përgjigjja formulohet sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/znj.....” ose “Pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/zj..... Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse të ne nuk ka të dhëna”.
Për pasuritë e paluajtshme
Çdo kërkues, brenda dhjetë ditësh nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në pasuri të paluajtshme, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë, së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, u dërgon Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nga një kopje të formularit të plotësuar dhe u kërkon të verifikojnë përfitimet në pasuri të paluajtshme nga ish-të dënuarit politikë ne ligjet e mëparshme. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pasi verifikojnë, secila, përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat arkivore që kanë, i dërgojnë Ministrisë së Drejtësisë përgjigje zyrtare për masën e zbritur të përfitimit. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra qendrore e Pasurive të Paluajtshme brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës i japin përgjigje sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme”, ose “Pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/znj.... Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse te ne nuk ka të dhëna”.
Paraqitja në Ministrinë e Drejtësisë e formularëve të vetëdeklarimit nga ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre, kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare. Për kërkuesit me vendndodhje jashtë vendit, dorëzimi i këtij formulari kryhet nëpërmjet shërbimit konsullor përkatës. Punonjësi përgjegjës e përfshin këtë formular në dosjen individuale përkatëse. Pas marrjes së përgjigjes nga Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Drejtësisë bën zbritjen e masës së përcaktuar prej tyre nga shuma e dëmshpërblimit, e përllogaritur sipas Nenit 6 të ligjit që u miratua fundvitin e 2007-s për të përndjekurit politikë.
Masa e dëmshpërblimit për çdo të përndjekur
Sipas ligjit masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë. Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Dëmshpërblimi i përcaktuar u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme. Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. 1100 ish-të përndjekurit e parë, do të marrin vetëm 18 e shumës totale të dëmshpërblimit. Ky rregull është përcaktuar në mënyrë që fillimisht të dëmshpërblehen të gjithë me një shumë të konsiderueshme dhe më pas procesi të realizohet në disa faza të tjera.
5 Shkurt 2010