Policët malazezë plagosin peshkatarin shqiptar
Hysen Skenderaj ishte duke peshkuar në Bunë kur policia malazeze e ka sulmuar pa asnjë shkak
SHKODËR- Policia malazeze plagos një peshkatar shqiptar, i cili ishte duke peshkuar në ujërat e lumit të Bunës, shumë pranë kufirit mes dy vendeve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme dhe për fat të mirë i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hysen Skenderaj, 57 vjeç, ka marrë një plumb në nofull por ai nuk i ka dëmtuar kokën. Mjekët e spitalit të Shkodrës, ku ndodhet i plagosuri, pohuan se gjendja e tij është në përmirësim e sipër. Ndërkohë, policia jonë ka marrë kontakte me palën malazeze për të zbardhur detajet e këtij incidenti të rëndë.
***
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur në afërsi tëfshatit Pentar në komunën Dajç në Shkodër. Hysen Skenderaj, 57 vjeç, ka qenë duke peshkuar me varkë në ujërat e lumit të Bunës. “Unë isha vetëm në barkë dhe kur kthej kokën pashë dy persona që ndodheshin në bregun e Malit të Zi . Një prej tyre ishte i veshur me uniformë policie dhe dëgjova të më thoshte “eja këtu”. Unë nuk shkova por ktheva barkën drejt tokës shqiptare. Në këtë moment kam dëgjuar krismat e armëve”,- ka pohuar në polici, Hysen Skenderaj. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, ai ka ndjerë një goditje të fortë në fytyre dhe pak çaste më pas ka ndjerë gjakun t’i vërshojë. Në këtë gjendje ai ka kthyer barkën drejt tokës shqiptare dhe pak minuta më pas ai ka mbërritur në tokën shqiptare dhepas pak është gjendurnë breg. Aty është ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët e kanë dërguar në spitalin e qytetit të Shkodrës. Mjekët pohuan se ai ka marrë një plumb në nofull, i cili fatmirësisht nuk i ka shkaktuar dëmtime të tjera. “I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tij është në përmirësim e sipër”,- thanë dje mjekët e spitalit.
***
Burimet e policisë pohuan se në vendin ku ka ndodhur ngjarja lumi është i ngushtë dhe nuk ka një vijë ndarëse kufitare mes dy vendeve. “Ende, nuk dihet nëse 57- vjeçari ka qenë duke peshkuar në pjesën shqiptare apo atë malazeze”,- thanë hetuesit e çështjes. Për të sqaruar ngjarjen, drejt Malit të Zi janë nisur zyrtarë të policisë së Shkodrës, me qëllim komunikimin me homologët malazezë. Sipas policisë, nuk është saktësuar se nga kanë ardhur plumbat që kanë qëlluar 57- vjeçarin, ndërsa të dhënat e vetme që kanë për momentin në dorë hetuesit janë ato të dhëna nga vetë i dëmtuari. Ndonëse ngjarja nuk është e zbardhur plotësisht, burime nga policia bëjnë të ditur se peshkimi në ujërat e një vendi tjetër, për të dy shtetet dënohet me gjobë dhe se policia malazeze nuk kishte asnjë arsye të qëllonte me armë.