E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët, ministrit: Nuk kemi nevojë për fjalë, por për vepra

Përplasja Cinizmi i policëve pas deklaratës së Bashës për përgëzimet në mbarëvajtjen e tubimit të PS-së

Duke marrë shkas nga fjalët e djeshme të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, shumë punonjës policie kanë reaguar me ironi, duke kërkuar prej tij ose prej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, paratë që u kishin premtuar si shpërblim për shkak të shërbimeve që bënë gjatë aktivitetit të PS-së në bulevardin kryesor të Tiranës. Ata janë shprehur shumë të irrituar, duke kërkuar që herë tjetër më mirë mos t’u premtojnë asgjë. I gjithë nervozizmi ka ardhur pas deklaratës së ministrit Basha, i cili u shpreh se për afro pesë javë, kryesisht në Tiranë, por anembanë vendit, Policia e Shtetit angazhoi rreth 5500 forca për të përballuar situatën e rendit dhe të sigurisë publike në qytetin e Tiranës, si rezultat i tubimeve dhe bllokimit prej tre javësh të bulevardit nga subjekti politik PS, por dhe tentativë për të bllokuar akset rrugore. “Përkushtimi, profesionaliteti dhe respekti ndaj ligjit ishin tre veçoritë kyçe që bënë të mundur menaxhimin me sukses të situatës së krijuar, duke shmangur incidentet, provokimet, si dhe duke iu shmangur provokimeve të cilat jo rrallë u demonstruan në forma agresive ndaj forcave të policisë. Shpreh mirënjohjen time ndaj çdo punonjësi të policisë dhe shpreh bindjen se kjo është mirënjohja e gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve për rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit në disa nga ngjarjet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit”, tha Basha. Megjithatë, policët, të zhgënjyer jo vetëm këtë herë nga ministrat apo krerët e policisë, e kanë parë me cinizëm dhe janë shprehur se nuk kanë nevojë për fjalë, por për vepra. Basha përgëzoi policinë edhe për përmbytjet e Lezhës dhe Shkodrës, ku ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë në angazhimin dhe alokimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit për një periudhë dymujore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›