Elis Bakaj pezullohet përkohësisht nga Partizani
Bakaj ka qenë i pakënaqur me lënien jashtë formacionit për ndeshjen me ApoloninëMungesa e djeshme e Elis Bakajt mendohej të ishte një zgjedhje e trajnerit për fillimin e takimit me Apolonisë. Por problemi është më i madh se kaq, pasi sulmuesi nuk ka figuaruar as në stolin e rezervave. Mësohet se shkak për këtë është bërë një vendim i drejtuesve të kuq, të cilët të shtunën pasdite kanë vendosur ta pezullojnë përkohësisht sulmuesin. E shtuna nuk ka qenë e qetë te Partizani, pasi, sipas disa burimeve pranë ekipit, mësohet se Bakaj ka qenë i pakënaqur me lënien jashtë formacionit për ndeshjen me Apoloninë dhe në këtë mënyrë ka reguar keq si në fushën stërvitore dhe në ambientet e klubit. Madje mësohet se ka pasur debate të rënda midis lojtarit dhe stafit trajnues dhe në fund gjithçka i është raportuar presidentit Xhani, që nuk ndodhet në Shqipëri. Përfundimi ka qenë i rëndë për sulmuesin, pasi drejtuesit e kanë parë të arsyeshme që ta pezullojnë përkohësisht sulmuesin Elis Bakaj. Sipas burimeve pranë klubit, mësohet se shkaku që i çoi drejtuesit në këtë vendim ekstrem ka qenë sjellja jo e mirë e Bakajt si me stafin trajnues, por edhe me shokët e skuadrës si dhe impenjimi jo i duhur. Ndërsa nga ana e lojtarit mësohet se gjithçka ka ardhur si një keqkuptim i një fjale ofenduese, që Bakaj ka përdorur në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit me Teutën. Sipas arsyetimit të palës së goditur, sharjet e Bakajt nuk kanë qenë të adresuara te ndonjë person i skuadrës, por kanë qenë thjesht një nxjerrje dufi për atë barazim 0-0. Gjithsesi, pritet që kjo javë t'i nxehë më shumë debatet midis palëve, pasi argumentet e pasndeshjes me Apoloninë të dala nga goja e presidentit Albert Xhani lënë të kuptojnë se në drejtim të Elis Bakajt do të përdoret një dorë e fortë goditëse, pasi vetëm në këtë mënyrë do të largohen drunjtë e shtrembër, që ndodhen brenda Partizanit dhe larot që qëndrojnë jashtë tij.