E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeopolitika e Ballkanit dhe shqiptarët

Ylber LILI

Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një hapësirë krizash. Ndonëse teorikisht faktorë të ndryshëm ndërkombëtare japin doza inkurajuese për integrimet euro-atlantike, praktikisht kjo zonë është e mbërthyer nga probleme të natyrave të ndryshme, që lehtësisht prodhojnë kriza. Pra, çështja e Ballkanit Perëndimor është komplekse, por edhe lexueshme. Një shikim i shpejtë, d.m.th, pa pretenduar t’i analizojmë në mënyrë të hollësishme problematikat e shteteve veç e veç, na dëfton se secila prej tyre ka probleme serioze me sistemin e vlerave demokratike. Përtej problemeve më karakter etnik, vitet e fundit gjeografia e krizave ka përfshirë edhe vende, të cilat pretendonin se i kanë tejkaluar periudhat e zymta. Në këtë kuptim vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të derdhin shumë energji për t’u stacionuar në familjen e madhe evropiane. Ndryshe nga Greqia, Spanja, Portugalia së fundi Bullgaria e Rumania, të cilat në kontekste të ndryshme kohore arritën të bëhen anëtare të BE-së, falë vendimit politik, shtetet e rajonit tonë duhet të dëshmojnë se e meritojnë një vendim të tillë, duke përmbushur pikë e presje standardet. Kjo aksiomë bëhet akoma më serioze kur shikon sesi vendet e lartpërmendura, sidomos Bullgaria, Rumania dhe Greqia, e kanë zbehur disi shkëlqimin e BE-së. Kësisoj edhe shqiptarët duhet të maksimalizojnë kapacitetet e tyre politike, institucionale dhe shtetare për t’i krijuar vetes luksin për të trokitur në dyert e BE-së. Në fakt, po të kishin shfrytëzuar shanset, sot do të ishim afër finishit të maratonës drejt integrimeve evropiane. Meqë kemi ecur me hapat e breshkës, tashmë na duhet të jemi sprinterë për të goditur objektivin. Sidomos pas vitit 2008, ne humbën shansin e madh për të demonstruar dhe promovuar cilësisht aftësi për t’u shkëputur nga sindroma e krizave ballkanike. Politika dhe institucionet e Tiranës në vend që ishin model që prodhon dhe eksporton standarde të larta demokratike edhe për hapësirat e tjera shqiptare, vazhdon të mbetet në folenë e krizave të stisura pa u merakosur fare për koston. Nga ana tjetër, politika dhe institucionet në Kosovë nuk po arrijnë të kuptojnë peshën dhe rëndësinë që ka shtet-ndërtimi në kushtet e një procesi të ndërlikuar. Ndërkaq, politika shqiptare në Maqedoni pjesërisht nga injoranca e lidershipit në qeverisje dhe pjesërisht nga hakmarrja institucionale maqedonase, vazhdon të endet në moçalishten e antivlerës. Pra, marrë të tërësi, kemi të bëjmë me një politikë të shkapërderdhur, e cila vazhdon të mbetet e tillë sot e gjithë ditën. Natyrisht, mungesa e unifikimit të faktorit politik ushqen propagandën antishqiptare përmes ofensivës diplomatike të shteteve fqinje. Këta të fundit i kanë shtuar përpjekjet për ta kualifikuar Shqipërinë si shtet me demokraci të dështuar dhe Kosovën si shtet jofunksional. Në këtë kuptim duhet punuar fort për t’i dhënë leksionin e duhur propagandës antishqiptare, sikundër duhet investuar në ndërtimin dhe shëndoshjen e institucioneve të sistemit, për t’u kthyer reston atyre që na ndihmuan të ringrihemi dhe të ecim me këmbët tona. Nëse maksimalizojmë këto dy objektiva, natyrshëm mund të kërkojmë të zgjidhin edhe çështjet e hapura ende të pazgjidhura.
Për hir të së vërtetës shqiptarët në përgjithësi kanë një problem madhor në Ballkan: çështjen e pazgjidhur të tyre. Mirëpo, ky problem bëhet i padukshëm, ngaqë politika gjithëshqiptare, falë papërgjegjshmërisë së saj krijon situata të panevojshme që në esencë, që e komplikojnë esencialisht problemin. Në këto rrethana edhe po të duam ta drejtojmë gishtin nga fajtorët realë, besimi tek faktori ndërkombëtar dhe aleatët tanë sa vjen dhe zbehet. Tashmë për ata që kanë veshë, sinjalet janë të qarta. Pjesë e problemit të shqiptarëve janë vetë shqiptarët, të cilët nuk arritën të përfitonin nga investimet historike të SHBA-ve dhe vendeve me peshë në perëndimit. Përtej retorikës, propagandës, apo mendjelehtësisë, Shqipëria nuk është se eci me këmbët e shtetit të konsoliduar ligjor, të standardeve, progresit, etj., dhe trokiti në dyert e NATO-s, por ishte organizata, ajo e cila e ftoi. Gjithashtu, Kosova e fitoi pavarësinë falë vullnetit të palëkundur të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, sikundër shqiptarët e Maqedonisë dolën nga një konflikti me marrëveshjen e Ohrit, e mbështetur nga ndërkombëtarët. Në këtë kuptim vitet e fundit shqiptarët në tërësinë e tyre patën mundësi reale të ishin dyfish përfitues për të arritur në pistën e shteteve të përparuara demokratike. E para, siç e thamë ishte sponsorizimi ndërkombëtar dhe së dyti, ka të bëjë me problemet që u shfaqën rishtas tek shtetet fqinje. Por, faktori mbarëshqiptar jo vetëm që nuk përfitoi për të maksimalizuar prioritetet e tij, por aktualisht ndodhet brenda një rrethi vicioz, duke u marrë me vetveten, pa u shqetësuar fare për bumerangun, i cili vjen si rrjedhojë e paaftësisë, papërgjegjshmërisë, mungesës së vullnetit politik, përfitimeve individuale dhe grupore dhe mbi gjithçka e gjakimit për pushtet të klasës politike. Nga kjo pikëpamje, gjeopolitikës shqiptare i kanoset një rrezik i madh: aleatëttanë ndërkombëtarë janë buzë durimit deri në idhnim. Për shembull, pakkush nga aleatët tanë ka menduar se politika e Tiranës pas anëtarësimit të vendit në NATO, do të flinte mbi krizë dhe të zgjohej në Strasburg në restorantin “Krokodil”. Jo vetëm kaq. Në Kosovë, faktori ndërkombëtar po shikon në dritën e diellit anomali të ndryshme, për shkak të mungesës së seriozitetit të lidershipit politik atje për të mbajtur barrën kryesore të shtet-ndërtimit. është fakt se ndërkombëtarët kohët e fundit janë bërë shumë mosbesues ndaj faktorit vendës. Bie fjala, incidenti i fundit që lidhet me kontrollin e bagazheve të Kryeministrit të Kosovës në aeroportin e Prishtinës nuk ka lidhje fare me z. Thaçi si qytetar, as për dyshime ndaj postit që ai gëzon, por me keqpërdorimin e institucioneve që ai drejton. Pra, veprimet e misionit të EULEX-it, ndonëse të ashpra, madje të paprecedente, gjithsesi kam përshtypjen se kanë ardhur për shkak të mosrespektimit të rregullave, që bëjnë të mundur funksionalitetin e institucioneve të sistemit. Me fjala të tjera, incidenti i shkaktuar ndaj Thaçit më shumë sesa i tillë ishte tërheqje veshi për të kuptuar se është koha për të menduar ndryshme për shtet- ndërtimin e Kosovës. Si përfundim, është koha e fundit që shqiptarët të mbledhin energjitë dhe kapacitetet e tyre, për të ruajtur me fanatizëm marrëdhëniet pozitive me aleatët perëndimorë. Askush nuk të lejon të rrënosh investimin dashamirës të aleatëve, të cilët vlerat e tyre i çmojnë dhe i mbrojnë me çdo mjet. Tashmë shumëçka është e qartë, problemi i shqiptarëve është lehtësisht i zgjidhshëm, mjafton të korrigjojmë vetveten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›