Tragjedia, familjet e viktimave kërkojnë drejtësi

Ceremonitë e varrimit të dy viktimave u kryen në mesditë, ndërsa të afërmit e tyre kanë kërkuar që shteti të ndalojë dhe të dënojë maksimalisht autorët e trafikut të klandestinëve.
Në fshatrat Vidhishtë dhe Kurjan morti është hapur qysh të martën, ndërkohë që trupat e viktimave janë sjellë në banesat përkatëse paraditen e djeshme.
Në fshatin Vidhishtë kallej në dhe djali i vetëm i familjes Hoxhaj, ndërsa në Kurjan një 20-vjeçar i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i ishin divorcuar qysh kur ishte i vogël.
Ceremonia e varrimit të 20-vjeçarit Amarildo Kuka është zhvilluar në orën 13:00, ndërsa ajo e 27-vjeçarit Festim Hoxhaj në orën 14:30. Pas varrimit, të afërmit e të dy viktimave të Butrintit kerkuan arrestimin dhe dënimin maksimal të autorëve të trafikut.
“Në këtë përpjekje për jetë më të mirë humbën jetën ata që ishin fill i këputur, ndërsa asnjë trafikant nuk pati fat të keq, madje as që janë arrestuar. Trafikantët janë duke shijuar lekët e gjakut të shqiptarëve që janë braktisur nga shteti e që shpresojnë te trafiku”, tha Islam Hoxhaj, kushëri i Festimit nga Vidhishta, njërit prej të mbyturve në kanalin e Vivarit në Butrint.