E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshenti i humbur kërkohet në det dhe në tokë

Operacioni kërkimor i polumbarëve të RENEA-s ka rinisur në zonën përballë Portës së Luanit, në korridorin detar të Vilës së Peshkatarit në Butrint.

Kërkimet janë përqendruar për kërkimin e 17-vjeçarit Ndriçim Myftari, i zhdukur nga grupi i klandestinëve të tragjedisë së Butrintit.

Numri i familjarëve të tij të ardhur nga Lushnja, por edhe nga emigracioni në Greqi e Itali, ka shkuar në disa dhjetëra. Ata kanë shoqëruar operacionin e ditës së djeshme, të organizuar në ujërat e Butrintit.

Lutjet ndaj strukturave të shtetit kanë vijuar të bëhen nga Bashkim Myftari, xhaxhai i 17-vjeçarit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë është mundësuar mes Ylli Myftarit babai i të zhdukurit Ndriçim Myftari dhe numrit një të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

Prençi i ka premtuar atij vazhdimin e operacionit kërkues deri në krehjen e gjithë hapësirës detare ku mendohet se ka ndodhur përmbysja e varkës.

Përveç kërkimeve në zonën detare, ditën e djeshme janë shtrirë kërkimet edhe në tokë për Ndriçim Myftarin. Organizimi kompleks i operacionit në det dhe në tokë ka ardhur pas pohimeve të disa prej të mbijetuarve se ka shumë mundësi që Ndriçim Myftari të jetë i gjallë, pasi është parë të ikë më këmbë, ndërkohë që ata ishin në varkë.

Edhe bluzat e bardha janë angazhuar për t’u dhënë përgjigje situatave të pazakonshme të krijuara nga tragjedia e ndodhur në liqenin e Butrintit.

Ekspertë të mjekësisë ligjore kanë kryer autopsinë e kufomave të dy të gjeturve të fundit në Kanalin e Vivarit. Mjeku ekspert, Elmaz Shaqiri, ka pohuar se vdekja e tyre ka ardhur për shkak të marrjes së ujit në rrugët e frymëmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›